Kjo është buzëqeshja e një nëne, e cila triumfoi duke rimarrë në krahë Lukasin e vogël.
Dy muaj më parë, ai luftonte me vdekjen, i intubuar, brenda një inkubatori, i lidhur me aparatura. JOQ bëri thirrje për ta ndihmuar dhe qindra shqiptarë iu bashkëngjitën thirrjes.
I lindur me probleme të rënda në mushkëri, Lukasi kishte nevojë urgjente për trajtim të specializuar jashtë vendit. Historia e tij preku mijëra shqiptarë. Foshnja u dërgua në Itali, ku mori trajtimin që i shpëtoi jetën.
E sot, kjo panoramë është më e bukura në botë. Është dëshmia më e mirë se, falë bashkimit të të gjithë shqiptarëve, mrekullitë ekzistojnë.
Vogëlushi, që dikur luftonte për çdo frymëmarrje, tashmë buzëqesh në krahët e nënës, ndërsa prindërit dhe vëllezërit e tij gëzojnë më në fund kthimin e tij në shtëpi.
Lajmin për kthimin e dha në Instagram Elvis Naçi, duke sjellë edhe mesazhin e falënderimit nga prindërit e Lukasit.




