Muça i “Delta-s” me 40 shokë të armatosur kërcënon pronarin e “Regina”

Muça i “Delta-s” me 40 shokë të…

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Orikum, ku një grup prej rreth 40 personash, shumica e tyre të armatosur, dyshohet se kanë shkuar pranë hotelit në pronësi të Vasil Bedinajt pronar i “Regina”, pas një konflikti mes palëve. Sipas raportimeve paraprake, në ngjarje dyshohet të jetë përfshirë Luan Muça i “Delta-s”, ndërsa një tjetër emër i përmendur është Bujar Muça, pronar i “Delta-s”. Bedinaj dyshohet se është kërcënuar dhe goditur fizikisht, ndërsa konflikti më pas ka degraduar deri në përdorimin e armëve. Sipas deklarimeve të raportuara, ndaj Bedinajt është kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh, me kërcënimin: “5 milionë euro gjobë, ndryshe zhduku nga Shqipëria”.

Pas përplasjes, autorët dyshohet se janë larguar nga ambientet e hotelit, ndërsa Policia ka nisur ndjekjen e tyre. Gjatë largimit, një automjet me persona të dyshuar është përplasur në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës. Si pasojë, disa persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej të dëmtuarve ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore. Raportohet gjithashtu se disa prej personave të dyshuar janë arrestuar, ndërsa forca të shumta policie kanë vijuar kontrollet në zona të ndryshme të Vlorës.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi përplasjet mes grupeve dhe personave me pushtet ekonomik në vend, sidomos për shkak të numrit të madh të personave të përfshirë, përdorimit të armëve dhe shumës së pretenduar prej 5 milionë eurosh. Deri tani, Policia nuk ka bërë një njoftim zyrtar të detajuar për ngjarjen, ndërsa informacionet që qarkullojnë mbeten paraprake dhe pritet të verifikohen nga hetimet. Autoritetet po vijojnë kontrollet dhe mbledhjen e provave për të përcaktuar dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit