Mure të çara dhe çatia që pikon ujë, Ministria e Kulturës lë në degradim Kishën historike

Mure të çara dhe çatia që pikon…

Kisha “Fjetja e Shën Marisë” në Bishqethem të Lushnjes, është drejt rrënimit total të saj.

Kjo kishë, është një nga katër kishat e shpallura “Monument Kulture” në Lushnje dhe stili i saj ndeshet vetëm në Myzeqe.

E ndërtuar në vitin 1750, me afreskët murale nga tavani deri në dysheme nga vëllezërit Çetiri, kjo kishë është ndër më të rëndësishmet në Lushnje.

Për shkak të mungesës së investimeve që nga ndërtimi i saj në shekullin e 18-të, ndërtesa rrezikon të shembet. Ky ka qenë edhe shqetësimi i banorëve të zonës dhe besimtarëve, të cilët e kanë denoncuar rastin në redaksinë tonë. Çatia, e cila pikon e gjitha, ka sjellë dëmin më të madh, pasi reshjet e shiut lagin afresket murale, duke shkaktuar prishjen e tyre.

“Do tu lutesha ta publikonit këtë video sepse gjendja e kësaj kishe që është e monument kulturor dita ditës po rrënohet  dhe askush se vë ujin në zjarr duke filluar nga prifti që është i pari te kjo kishë shumë vjeçare  dhe institucionet përkatëse, Ministria e Kulturës. Shteti disa herë ka ardhur po asgjë nuk është bërë. Shirat e shumtë që bien veç e rrënojnë këtë kishë.  Kisha ndodhet në fshatin Bishqethëm rrethi Myzeqesë në Lushnje”, thuhet në denoncimin e mbërritur në redaksinë tonë.

“Kërkojmë nga Ministria e Kulturës, nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës që të ndërhyhet urgjentisht për një restaurim tërësor të kishës. Monumentet e Kulturës nuk vijnë të bëjnë asnjë lloj restaurimi, por vetë Kishën nuk e lënë që të ndërhyjë”, thotë prifti i kësaj kishe, At Thoma Bame.

Inventari i Monumenteve të Kulturës rrezikon të humbasë një tjetër trashëgimi me vlerë historike të vendit tonë në rast se nuk ndërhyhet sa më parë.

E njohur për stilin unik te saj, kisha “Fjetja e Shën Marisë”, në fshatin Bishqethem, në vitin 1960 u shpall “Monument Kulture e Kategorisë së Parë”. Pavarësisht kësaj, kjo kishë vijon edhe sot e kësaj dite të jetë në mëshirën e fatit. Mirëmbajtja e objekteve kulturore, është një nga format që tërheq më shumë turist në çdo shtet normal, në çdo periudhë të vitit. Ndërsa për Shqipërinë, ndodh e kundërta.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit