Një qytetar ka ngritur shqetësimin për një situatë të rrezikshme në Rrugën “Ali Shefqeti”, në zonën e Shkozës, përballë gjimnazit, duke denoncuar se prej muajsh nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete nga institucionet.
Sipas raportimit, muri i një banese të braktisur është shembur dhe ka rënë në rrugë, duke krijuar rrezik serioz për kalimtarët, veçanërisht për nxënësit që kalojnë çdo ditë në këtë zonë për të shkuar në shkollë.
Qytetari thotë se shqetësimi është denoncuar pranë Bashkisë së Tiranës që prej muajit mars, por deri më sot nuk është bërë pastrimi i rrugës apo sigurimi i plotë i objektit.
Në përgjigjen zyrtare të platformës “Tirana Ime” thuhet se, pas verifikimeve, rezulton se muri i dëmtuar i përket një banese të rrënuar dhe të pabanuar. Sipas bashkisë, në vendngjarje është vendosur një shirit sigurie dhe është njoftuar struktura përgjegjëse për pastrimin e rrugës.
Megjithatë, qytetari shprehet se situata mbetet e pandryshuar dhe se rrënojat vijojnë të jenë në rrugë, duke rrezikuar çdo ditë fëmijët dhe banorët e zonës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e materialeve të rëna, sigurimin ose shembjen e plotë të strukturës së dëmtuar, si edhe vendosjen e masave mbrojtëse për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
