Muzikë në kohë karantine dhe minorene të punësuara në lokal, pronari "del huq"

Muzikë në kohë karantine dhe minorene të…

Një pronar lokali në kryeqytet e ka pësuar keq. Ai është gjobitur dhe vënë nën hetim nga policia, pasi ka vijuar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Gjatë kontrollit të zhvilluar në ambientet e lokalit, u konstatuan duke punuar 2 minorenë, pa kontrata punësimi.

Pronari i lokalit, me banim në Bathore është vënë nën hetim si dhe i është vendosur gjobë 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.

Njoftimi i policisë:

U konstatua duke ushtruar aktivitetin me muzikë pas orarit të përcaktuar, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative, administratori i lokalit. Vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të kontrolleve, kanë proceduar penalisht shtetasin Sh. S., 47 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Punësimi i paligjshëm”, banues në Bathore, pasi u konstatua duke vijuar organizmin e aktivitetit me muzikë në lokalin që administron, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, dhe gjatë konstatimit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë për ushtrimin e detyrës. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të këtij shtetasi, u konstatuan duke punuar 2 minorenë, pa kontrata punësimi.

Gjithashtu, për këtë subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve. Në vijim të veprimeve, morën masë administrative për shkeljen e aktit normativ dhe u proceduan penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” 8 shtetas, pasi në kundërshtim me orarin e përcaktuar, u konstatuan në këtë subjekt duke krijuar zhurma shqetësuese për banorët. Policia e Shtetit sqaron të gjithë qytetarët që ora policore është në fuqi pas datës 01 Janar dhe Drejtora Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.  

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit