Myftaraj: Çfarë bëri Gledis Nano ditën që u vra 8-vjeçari në Fier?

Myftaraj: Çfarë bëri Gledis Nano ditën që…

Kastriot Myftaraj

Çfarë bëri Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano në 16 nëntor, ditën që u vra 8-vjeçari në Fier

Është e vërtetë ajo që thotë kryeministri Rama se në çdo vend mund të ndodhin krime si vrasja e një tetëvjeçari në Fier, por vendet ku ndodhin këto ngjarje dallojnë në përparësitë dhe seriozitetin që ka Policia e shtetit përkatës në punën e saj për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të tij.

Në 16 nëntor, ditën kur në Fier do të rrëmbehej dhe vritej një tetëvjeçar, Drejtori i Përgjithshëm I Policisë së Shtetit Gledis Nano, i dekoruar nga ambasada amerikane para marrjes së detyrës, pati një agjendë të ngarkuar.

Zyrtarisht nga kjo agjendë njoftohet vetëm takimi i tij me ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, ku u fol për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit. Arsyeja e pathënë e takimit ishte se ka nisur një bashkëpunim i trafikantëve të qënieve njerëzore shqiptarë dhe ukrainas, për të trafikuar njerëz në Britaninë e Madhe. Me këtë bashkëpunim ka të bëjë edhe ngjarja e fundit e kapjes së një anijeje me 69 shqiptarë që ishte nisur për në Britaninë e Madhe nga Suedia.

Pra Gledis Nano u takua me ambasadorin ukrainas për t’ i dhënë të kuptonte ambasadorit britanik në Shqipëri shqetësimin e qeverisë shqiptare për sigurinë e Britanisë së Madhe, pasiqë ambasadori britanik u fotografua bashkë me Gledisin në shfaqjen premierë të filmit me James Bond.

Përveç takimit me ambasadorin ukrainas, në 16 nëntor Gledis Nano u mor posaçërisht edhe me dy çështje të tjera që përbëjnë përparësi në punën e Policisë së Shtetit në Shqipëri:

-Z. Drejtor I Përgjithshëm zhvilloi një takim pune me vartës të tij për gjendjen e sigurisë së afganëve të strehuar në Shqipëri në resorte luksoze.

-Z. Drejtor i Përgjithshëm zhvilloi një takim pune me vartës të tij për gjendjen e sigurisë së opozitarëve të regjimit iranian të strehuar në Shqipëri.

Të dy këto çështje mund të përmblidheshin fare mirë në një por z. Drejtor i Përgjithshëm nuk i bashkoi në një takim të vetëm për të treguar rëndësinë që iu jep Policia e Shtetit detyrimeve informale që ka marrë shteti shqiptar për strehimin e të huajve të privilegjuar. Siguria e afganëve dhe iranianëve të strehuar në Shqipëri ka përparësi në punën e Policisë së Shtetit. Pas tyre vjen siguria e qytetarëve shqiptarë. Kështu Gledisi do të marrë dekorata të tjera nga amerikanët.

Në përfundim të këtyre takimeve Gledisi mori lajmin se ishte vrarë një fëmijë tetëvjeçar. Meqënëse për këtë gjë nuk foli ambasadorja amerikane ai vështirë se e ka quajtur çështje vërtet të rëndësishme. Ndryshe do të kishte ndodhur nëse do të ishte vrarë ndonjë nga fëmijët afganë të strehuar në Shqipëri.

Në këtë rast familjen e tij do ta takonte ambasadorja amerikane, kryeministri Rama, ministri i punëve të brendshme, me Gledisin që do të rrinte roje personalisht pranë tyre. Por u vra vetëm një tetëvjeçar shqiptar./

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit