"Na detyrojnë të zgjedhim mes dy ilaçeve jetike", qytetari denoncon kalvarin e babait me sëmundje të veshkave

“Na detyrojnë të zgjedhim mes dy ilaçeve…

Një qytetar nga Fieri i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që e cilëson si një kalvar të pafund me sistemin shëndetësor, ndërsa babai i tij, i cili vuan nga sëmundje kronike të veshkave, përballet me vështirësi për të siguruar medikamentet e nevojshme për trajtimin.

Sipas denoncuesit, babai i tij ka punuar gjithë jetën, ka paguar rregullisht taksat dhe kontributet, por sot, kur ka më shumë nevojë për kujdes shëndetësor, familja ndihet e braktisur nga institucionet.

Ai tregon se pacienti ndiqet nga mjekë nefrologë dhe disponon rekomandime edhe nga specialistët në Tiranë për dy medikamente që, sipas tij, janë të domosdoshme dhe duhet të jenë pjesë e pandashme e trajtimit. Megjithatë, familjes i është komunikuar se duhet të zgjedhë vetëm njërin prej tyre.

“Na thonë të zgjedhim se cilin ilaç të marrim, ndërkohë që babai im ka nevojë për të dyja. Për pasojë detyrohemi t’i blejmë vetë, por janë shumë të shtrenjta dhe të vështira për t’u gjetur, pasi gjenden vetëm në spital”, shprehet qytetari.

Përveç kostos së lartë të medikamenteve, ai denoncon edhe zvarritjet e gjata burokratike për marrjen e rekomandimeve mjekësore.

“Sorollatemi me orë e ditë të tëra nëpër spitale për të marrë rekomandimet. Përballemi me mungesë informacioni, përgjigje shpërfillëse dhe një sjellje që na bën të ndihemi sikur po kërkojmë një favor, e jo një të drejtë që na takon”, shkruan ai.

Sipas denoncimit, problematikat nuk kufizohen vetëm në një institucion, por janë hasur në spitalet e Lushnjës, Fierit dhe Tiranës.

Qytetari ngre gjithashtu shqetësime për kushtet dhe cilësinë e shërbimit në Spitalin e Lushnjës, të cilat i cilëson si të papranueshme.

“Babai im ka kontribuar gjithë jetën për këtë vend. Sot, kur është i sëmurë rëndë, nuk kërkon asgjë më shumë sesa ilaçet që i kanë rekomanduar vetë mjekët. Shëndeti nuk duhet të jetë privilegj, por një e drejtë për çdo qytetar”, përfundon ai.

JOQ Albania i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore përkatëse të verifikojnë këtë denoncim dhe të japin një sqarim mbi arsyet pse pacienti, sipas familjarëve, nuk po arrin të sigurojë të gjithë terapinë e rekomanduar nga mjekët specialistë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit