“Na mashtruan”/ Banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 2019 kthehen në banesa: Kemi frikë për jetën

“Na mashtruan”/ Banorët e pallateve të dëmtuara…

Edhe pse afron 4 vjetori i tërmeti të fuqishëm të 26 nëntorit 2019, ku 51 persona humbën jetën dhe me mijëra banesa u dëmtuan rëndë, akoma nuk ka përfunduar procesi i rindërtimit.

Po ashtu mijëra familje kanë mbetur pa bonusin e qirasë dhe një pjesë prej tyre po rikthehen në pallatet e dëmtuara, duke rrezikuar jetët e tyre. Ndërsa ekspertët e ndërtimit ngrenë alarmin për rrezikshmërinë që kanë godinat e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Zenel Zani banor i lagjes 12 në Durrës, ka hapur derën e hekurit të pallatit të dëmtuar dhe ankohet se asgjë nuk ka ndryshuar në katër vjet.

“Po mendojmë që të lidhim ujë dhe drita vetë dhe të rikthehemi në shtëpitë tona. Me rrezik është, por sa të na dëbojnë nga atje ku jemi me qira, më mirë të rimë këtu,” tha ai.

Para tërmetit ai jetonte së bashkilu me bashkëshorten në një pallat afër tregut ushqimor në Durrës, ndërsa pas katastrofës natyrore, ai u vendos në një banesë me qira në afërsi të “Stacionit të trenit”, por për shkak të problemeve me bonusin e qirasë, po mendon të rikthehet në pallatin e pariparuar.

“Këtu, është çdo gjë si ditën e parë të tërmetit, më keq akoma se janë vjedhur kabujt, sahatet, se ne do ishim kthyer me kohë këtu,” ankohet pensionisti.

Çfarë ndodh pas katër vitesh në Durrës?

Edhe pse kanë kaluar 4 vite banorëve akoma nuk iu janë kthyer banesat në gjendjen e mëparshme. Sipas Bashkisë Durrës, reth 2500 kërkojnë ende bonusin e qerasë, i cili prej muajsh është i bllokuar.

“Në mars të vitit 2023, këto 2500 familje janë trajtuar për herë të fundit me bonus qiraje dhe më pas nuk është bërë shpërndarje,”, iu përgji BIRN-it Bashkia e Durrësit.

Po ashtu kjo Bashki, ia kalon Ministrisë së Financave, të cilët sipas saj nuk i kanë kthyer ende përgjigje për vazhdimin e bonusit së qerasë.

“Bashkia Durrës i ka kërkuar fonde për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me shkresën 30/4 datë 18.07.2023 dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi vazhdimin e lëvrimit të fondeve,” deklaroi Bashkia.

Moskalimi i bonusit të qirasë ka krijuar vështirësi ekonomike pa fund për familjet e prekura nga tërmeti.

Mjaft prej tyre, në pamundësi për të përballuar qiratë pa ndihmën e bonusit, janë rikthyer të jetojnë në pallatet e pariparuara, ose që janë duke u riparuar.

Një ndër ta është edhe Fadil Koloçi, i cili tha se ka frikë për jetën e tij por është i detyruar të qëndrojë në pallatet e dëmtuara.

“Po shikojeni vetë. Asgjë nuk është bërë nga jashtë. Kemi frikë dhe nga era, mos shkëputet ndonjë tullë nga katet e dëmtuara më shumë dhe na merr jetën, por ç’të bëjmë, këta nuk thonë asgjë se kur do të bëjnë riparimet e pallatit,” tha Kaloçi.

Ndërsa banori tjetër hodhi akuza ndaj zyrtarëve shtetëror. Zenel Zani tha se personat që kishin përgjegjësinë për vlerësimin e pallatit kanë ndryshuar dy herë verdikt dhe se deri më tani nuk eshtë bërë asgjë.

“Këta u tallën me ne. Fillimisht e përcaktuan pallatin si  DS3, më pas thanë do shembet se kishte rrezik, pastaj thanë që do riparohet se është me dëm DS4, por deri më tani, ja shikoje, asgjë nuk është bërë”, tregoi Zenel Zani për BIRN.

Shumë pallate të dëmtuara nga tërmeti i katër viteve më parë kanë mbetur jashtë planeve dhe projekteve të bashkisë për riparim, për të cilat bashkia e qytetit bregdetar tha se mbetet në pritje të fondeve për projektim.

Sipas Bashkisë, 83 pallate me shkallë dëmi DS4 janë në pritje të fondeve për projektimin, ndërsa 6 objekte të tjera DS4 mbeten në pritje të financimit për riforcimin e strukturave.

Në proces rikonstruksioni, sipas Bashkisë së Durrësit janë 73 pallate të vlerësuara si DS4 dhe 101 shtëpi individuale me të njëjtën shkallë dëmi.

Ndërsa ekspertët sugjerojnë se në pallatet e dëmtuara nuk duhet të rikthehen qytetarët, pasi ka rrezik për shembjen e tyre.

“Dëmtimet e rënda strukturore duke ulur ndjeshëm qëndrueshmërinë, mund të rrezikojnë shembjen e pjesës së mbetur të ndërtesës, si pasojë e peshës vetjake të elementeve të strukturës apo edhe lëkundjeve të mundshme sizmike,” tha Alban Uka, inxhinier ndërtimi, për BIRN.

Pas tërmetit të 2019, kryeministri Edi Rama premtoi se do të rindërntonte në kohë të shkurtër godinat e dëmtuara por duket se këto premtime janë lënë në harresë. Mbi 2500 familje nuk po iu jepet minimalja që iu premtua pas katastrofës natyrore.

Në kohën kur qindra miliona shkojnë për koncesione, PPP apo tendera pa garë, 2500 familje po shkojnë drejt banesave që nuk kanë siguri dhe mund të kemi një përsëritje të tragjedisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit