
Nafta e Patos-Marinzës është kthyer në një histori grabitjeje të paprecedentë që përfshin qeveritarë, drejtorë dhe emërime partiake nga bashkitë Patos e Roskovec
Për më shumë se një dekadë, zona naftëmbajtëse më e madhe në Shqipëri, Patos-Marinza, është shfrytëzuar jo për zhvillim, por për përfitime personale të një grushti pushtetarësh dhe grupeve të lidhura me ta. Ajo që dikur shihej si shpresë për rritje ekonomike, u kthye në një spirale ndotjeje, varfërie dhe zhvatjeje me përmasa miliardëshe.
Kompania Bankers Petroleum, e cila hyri në treg me flamurin kanadez dhe më pas iu shit një kompanie me pronësi kineze, Geo-Jade Petroleum, ishte pjesë e një skeme të gjerë që përfshinte politikanë, drejtues publikë dhe figura të emëruara përmes lidhjeve partiake në bashkitë Patos dhe Roskovec.
Kontratat me Bankers u firmosën dhe u menaxhuan pa asnjë kontroll efektiv. Të dhënat tregojnë se kompania shiti naftën shqiptare me çmime shumë më të ulëta sesa ato të tregut ndërkombëtar, shmangu tatimet dhe nuk i pagoi në mënyrë të plotë rentat minerare. Por më skandaloze është mënyra sesi kjo grabitje u tolerua e u mbështet nga vetë institucionet e shtetit.
Ministrat e linjës, nga Genc Ruli, Damian Gjiknuri e deri te Belinda Balluku, nuk e ngritën zërin për pasojat katastrofike që Bankers po sillte në zonë. Ata u sollën si noterë të korporatës, duke mos kërkuar as auditime dhe as përgjegjësi ligjore.
Drejtorët e Albpetrol dhe të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) firmosën marrëveshje të njëanshme që favorizonin vetëm kompaninë. Ata heshtën për kostot e fryra që Bankers deklaronte çdo vit dhe për pasojat ekologjike e shëndetësore në tokat e helmuara të Fierit dhe Elbasanit.
Por përfituesit nuk ishin vetëm në nivel qendror. Kryebashkiakë të zonës pranuan fonde nga Bankers për projekte të ashtuquajtura “sociale”. Në këmbim, ata mbyllën sytë ndaj ndotjes së ajrit dhe tokës, si dhe ndaj sëmundjeve që u përhapën në komunitete.
Skema thellohet edhe më tej me ndarjen klanore të pushtetit brenda vetë Bankers. Emërimet në pozitat drejtuese ishin shpesh fryt i ndërhyrjeve politike dhe klanore, me individë të lidhur drejtpërdrejt me parti të caktuara dhe grupime lokale që vepronin si ndërmjetës për të siguruar heshtjen e komunitetit.
Nga epoka e kanadezëve e deri te ardhja e kinezëve, korrupsioni nuk pushoi. Përkundrazi, me ndryshimin e pronësisë u thelluan vjedhjet. Të dhënat e auditimeve ndërkombëtare, të cilat nuk janë bërë asnjëherë publike nga qeveria shqiptare, flasin për qindra milionë euro që mungojnë nga bilancet zyrtare.
Ndërkohë, asnjë hetim nuk është hapur. SPAK-u nuk ka asnjë dosje mbi këtë aferë miliardëshe. Asnjë ish-ministër, ish-drejtor apo kryebashkiak nuk është marrë në pyetje. Disa prej tyre sot vazhdojnë të emërohen në poste të tjera publike, apo shfaqen si “ekspertë energjie” në studio televizive.
Qytetarët nuk kanë parë drejtësi. Pasuria kombëtare është grabitur në heshtje dhe shteti nuk ka kërkuar ende llogari. Pse nuk publikohet lista e plotë e auditimeve nga viti 2004 deri më sot? Pse nuk ndëshkohen ata që firmosën kontratat më të dëmshme për Shqipërinë?
Kërkohet një hetim i plotë dhe transparent nga SPAK-u, përtej 14 urdhërarresteve të lëshuara. Duhet të kërkohet llogari nga Bankers Petroleum-i për çdo qindarkë që nuk është deklaruar. Po ashtu, të gjithë funksionarët që lejuan vjedhjen duhet të largohen përfundimisht nga administrata.
Ky nuk është vetëm një rast i keqmenaxhimit. Është një akt i rëndë kundër pasurisë publike. Një skandal i papërballuar ende nga drejtësia. Dhe për këtë, nuk duhet të ketë më as heshtje, as justifikime.