Nafta shtrenjtohet në rajon, Shqipëria mbetet me çmimin më të lartë

Nafta shtrenjtohet në rajon, Shqipëria mbetet me…

 

Rritja e çmimeve të karburanteve ka rikthyer ndërhyrjet e qeverive të vendeve të rajonit përmes uljes së akcizave dhe kufizimit të marzheve, ndërsa Shqipëria deri tani nuk ka njoftuar masa të reja fiskale. Në vend, nafta po tregtohet me rreth 219 lekë ose 2.3 euro për litër, rreth 0.24 euro më shumë se në korrik. Sipas të dhënave krahasuese të “Monitor”, nafta në Shqipëri është rreth 41% më e shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut dhe 17% më e shtrenjtë se në Serbi, duke qenë çmimi më i lartë në Ballkanin Perëndimor.

Një nga arsyet kryesore lidhet me barrën fiskale. Përveç akcizës prej rreth 0.37 euro për litër dhe TVSH-së 20%, në Shqipëri aplikohen edhe taksa e qarkullimit prej 27 lekësh dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër. Në total, taksat përbëjnë rreth gjysmën e çmimit të karburantit. Në mars qeveria miratoi një mekanizëm për uljen me 20% të akcizës kur nafta kalon 220 lekë për litër, por sipas ministrit të Financave Petrit Malaj, masa është përdorur vetëm dy herë, me një efekt financiar rreth 37 milionë lekë.

Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit kanë ndërhyrë për të zbutur efektin e rritjes së çmimeve. Mali i Zi ka ulur sërish akcizën e naftës me 20%, Maqedonia e Veriut mban në fuqi uljen e akcizës dhe të TVSH-së, ndërsa Serbia ka zgjatur uljen me 20% të akcizës dhe vijon të përcaktojë çmimet maksimale çdo javë. Në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë janë ruajtur gjithashtu kufizimet mbi marzhet e fitimit. Në këtë panoramë, Shqipëria mbetet vendi me karburantet më të shtrenjta në rajon, ndërsa qeveria nuk ka bërë të ditur deri tani masa të reja për lehtësimin e barrës mbi konsumatorët.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit