Nami në Poliçan: Banorët mbushin sheshin dhe djegin teserat, dorëhiqet kryetari i PS

Nami në Poliçan: Banorët mbushin sheshin dhe…

Tensione dhe revolte publike në Poliçan. Dhjetëra qytetarë u mblodhën këtë të enjte në qendër të qytetit për të kundërshtuar me forcë planin e Reformës së re Territoriale, sipas të cilit parashikohet shkrirja e Bashkisë së Poliçanit dhe bashkimi i saj me Bashkinë e Beratit.

Me pankarta në duar ku shkruhej: “Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”, banorët kërkuan me ngulm që Poliçani të ruajë statusin e tij si bashki më vete.

Kulmi i protestës u shënua me një akt të papritur politik. Kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, deklaroi publikisht dorëheqjen e tij përpara protestuesve, duke e cilësuar propozimin për shkrirjen e bashkisë si “një padrejtësi dhe një turp të madh”.

Menjëherë pas kësaj deklarate, revolta e qytetarëve u përshkallëzua. Në shenjë proteste dhe revolte ndaj linjës zyrtare të partisë në pushtet, disa anëtarë dogjën publikisht në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, si dhe hodhën në flakë tekstin e propozimit për ndarjen e re territoriale.

Në përfundim të tubimit, banorët nënshkruan një peticion ku i kërkojnë zyrtarisht institucioneve të mos e përfshijnë Poliçanin në hartën e re administrative.

Sipas draftit për “Reformën Territoriale 2.0” të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, parashikohet ulja e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46, ku Poliçani parashikohet t’i bashkohet Beratit.

Kundër këtij propozimi ka dalë edhe vetë kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili ka shprehur rezerva të forta duke paralajmëruar se shkrirja e bashkive të vogla do të përshpejtojë shpopullimin e këtyre zonave.

Banorët këmbëngulin se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre dhe kërkojnë që Poliçani të vijojë funksionimin si një njësi vendore e pavarur.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit