“Napoleoni”, kush është shqiptari që sfidon mafian italiane? Lidhjet me trafikun e kokainës dhe jetën luksoze në Dubai

“Napoleoni”, kush është shqiptari që sfidon mafian…

Një investigim i publikuar nga “Corriere della Sera” ka vënë në fokus aktivitetin e rrjeteve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke ndjekur gjurmët e tyre nga Maqedonia e Veriut dhe Italia deri në Dubai. Në qendër të shkrimit janë disa emra të njohur të botës së krimit, të cilët akuzohen për trafik droge, organizim kriminal dhe pastrim parash, si dhe lidhjet e tyre me organizata kriminale në disa vende europiane.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet klanit të Sarajit, në periferi të Shkupit, që sipas medias italiane konsiderohet një prej strukturave me ndikim në trafikun e narkotikëve në rajon. Mes personazheve të përmendur janë Sheval Muaremi, Eneo Carka, i njohur me nofkën “Napoleoni”, dhe Denis Matoshi alias Eldi Dizdari.

Sipas investigimit, rrjetet ku dyshohet se janë të përfshirë këta persona shtrihen përtej kufijve të Ballkanit, me lidhje në Belgjikë, Britaninë e Madhe dhe Itali. Ndërkohë, Dubai përmendet si një prej destinacioneve ku disa prej personave të kërkuar nga drejtësia kanë qëndruar për një kohë të gjatë.

Duke cituar Xhelal Nezirin, drejtues i Institutit Ballkanik për Median dhe Demokracinë në Tetovë, “Corriere della Sera” përcjell një deklaratë domethënëse për ndikimin e krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut: “Çdo shtet e ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka një shtet”.

Një prej figurave kryesore të përmendura është Sheval Muaremi, 49 vjeç, ndaj të cilit, sipas medias italiane, rëndojnë urdhërarreste për vrasje, organizatë kriminale dhe trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Ai raportohet se prej dy vitesh jeton në Dubai, ku shfaqet edhe në rrjetet sociale, ndërsa dyshohet se vijon të menaxhojë aktivitetet e tij nga distanca.

Një tjetër emër i rëndësishëm është Eneo Carka, 44 vjeç, i njohur si “Napoleoni”. Sipas investigimit, ai konsiderohet nga hetuesit në disa vende si një person me rrezikshmëri të lartë dhe lidhet me transportimin e sasive të mëdha të kokainës drejt Belgjikës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, konkretisht në zonën e Ligurias.

Carka përshkruhet si një person që flet disa gjuhë, mes tyre shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht, ndërsa përdor mjete të sofistikuara komunikimi për të kufizuar mundësitë e përgjimit.

Në Milano, sipas Drejtorisë së Antimafias italiane, ai dyshohet se mbështetet nga një bashkëkombës 46-vjeçar, banues në lagjen Gallaratese. Ky i fundit përmendet në hetime për përfshirjen e tij në mbërritjen e ngarkesave të kokainës dhe kryerjen e pagesave për drogën.

Investigimi ndalet edhe te raportet mes grupeve shqiptare dhe organizatave tradicionale mafioze italiane, veçanërisht ’Ndranghetës. Sipas shkrimit, pavarësisht tensioneve dhe mosmarrëveshjeve mes tyre, rrjetet shqiptare janë bërë aktorë të rëndësishëm në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit me kokainë. Madje, Carka pretendohet se ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me figura të rëndësishme të botës së trafikut të drogës në Amerikën Latine.

Një tjetër personazh në fokus është Denis Matoshi, 37 vjeç, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Sipas “Corriere della Sera”, ai kishte qëndruar për një kohë të gjatë në Dubai, por rreth një muaj më parë autoritetet belge arritën të siguronin ekstradimin e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në Dubai ka mbetur ish-bashkëshortja e tij, Suada, ish-Miss Shqipëria dhe personazh i njohur i botës së spektaklit. Sipas autoriteteve belge, ajo zotëron pasuri të paluajtshme në Emiratet e Bashkuara Arabe me vlerë rreth 17 milionë euro.

Media italiane shkruan gjithashtu se Suada vijon jetën luksoze në Dubai, ku organizon festa madhështore së bashku me partnerin e saj të ri, një shtetas arab me pasuri të konsiderueshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit