Napoli goditet nga tërmeti më i fortë i 40 viteve të fundit: 21 të plagosur dhe dëme të shumta

Napoli goditet nga tërmeti më i fortë…

Tërmeti me magnitudë 4.7 i shkallës Richter, që goditi të premten zonën e Campi Flegrei-t në Napoli, ka lënë pas 21 të plagosur, nga të cilët dy në gjendje të rëndë, si dhe ka detyruar evakuimin e 18 familjeve.

Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali (INGV), lëkundja kryesore u regjistrua në orën 19:49, në një thellësi prej afërsisht 3 kilometrash, me epiqendër midis qyteteve Pozzuoli dhe Quarto.

Ky është tërmeti më i fortë i regjistruar që nga intensifikimi i aktivitetit sizmik në Fushat Flegreane, një zonë vullkanike në perëndim të Napolit që ka shfaqur shqetësime në rritje vitet e fundit. Lëkundja është ndjerë fuqishëm në të gjithë Napolin dhe komunitetet përreth, duke pasuar me të paktën 10 pasgoditje.

Ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, bëri të ditur se janë raportuar dëme në ndërtesa banimi dhe në disa kisha. Lëkundja gjithashtu shkaktoi rrëzim shkëmbinjsh, ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të Napolit dhe zonës metropolitane dhe bllokim të shërbimeve hekurudhore dhe metrove.

Shërbimet hekurudhore në linjat Cumana dhe Circumflegrea, të cilat lidhin Napolin me zonën vullkanike, u pezulluan përkohësisht për të mundësuar inspektimet e sigurisë, ndërsa qendra hekurudhore e Napolit u rihap gjatë natës, pavarësisht vonesave që kaluan gjashtë orë.

Porti i Pozzuolit, i cili menaxhon lidhjet më të shpeshta detare drejt ishujve Procida dhe Ischia, u mbyll për shkak të dëmtimit dhe papërdorshmërisë së kalatës.

Si pasojë e lëkundjeve të fuqishme, qindra qytetarë të frikësuar vërshuan në rrugë duke braktisur banesat e tyre.

Zonë e Campi Flegrei-t, ku ndodhet krateri vullkanik më i madh në Evropë, karakterizohet nga aktivitet i shpeshtë sizmik. Kujtojmë se një tërmet tjetër me magnitudë 4.6 goditi të njëjtën zonë në qershor të vitit 2025.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit