Australia pritet të bëhet vendi i parë perëndimor që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç duke filluar nga dhjetori. Por ndërsa qeveria e shet ligjin si mburojë për të miturit, një raport i ri paralajmëron për pasoja të rënda mbi privatësinë dhe saktësinë e verifikimit të moshës.
Ligji detyron platformat gjigante si Facebook, Instagram, Snapchat dhe YouTube të marrin “hapa të arsyeshëm” për të ndaluar të miturit të hapin ose përdorin llogari. Nëse kompanitë nuk zbatojnë rregullat, gjobat mund të arrijnë deri në 50 milionë dollarë australianë – një faturë marramendëse edhe për titanët e teknologjisë.
Raporti i Skemës së Certifikimit të Kontrollit të Moshës ngre shqetësime serioze: përdorimi i dokumenteve zyrtare është i saktë, por rrezikon të hapë “dyert” për abuzime me të dhënat personale. Nga ana tjetër, teknologjia e njohjes së fytyrës rezultoi e pasaktë tek adoleshentët pranë kufirit të moshës, duke rrezikuar bllokimin e përdoruesve të ligjshëm ose, edhe më keq, lejimin e fëmijëve më të vegjël.
“Është e arsyeshme që këto kompani, të cilat janë në pararojë të inteligjencës artificiale, të garantojnë që fëmijët të jenë të sigurt në internet,” u shpreh ministrja e Komunikacionit, Anika Wells, duke u bërë thirrje platformave të marrin përgjegjësinë që u takon.
Por në krahun tjetër, ekspertët e shëndetit mendor paralajmërojnë: ndalimi i rrjeteve sociale mund të çojë fëmijët drejt izolimit social ose t’i shtyjë drejt hapësirave alternative online, shpesh më të rrezikshme dhe krejtësisht të parregulluara.