“Ndalohen influencerët”, pronari në Siçili vendos tabelën pas darkës së papaguar nga blogerët

“Ndalohen influencerët”, pronari në Siçili vendos tabelën…

Një piceri në Katania të Siçilisë ka tërhequr vëmendjen me një vendim të pazakontë: në ambientet e lokalit është vendosur një tabelë ku shkruhet “Influencerët nuk janë të mirëpritur”.

Pas këtij qëndrimi qëndron një episod i treguar nga pronari i picerisë “L’Evoluzione”, Lele Scandurra. Sipas tij, një influencer me mbi 400 mijë ndjekës në Instagram ka darkuar në lokal së bashku me një mik, por në fund të mbrëmjes të dy janë larguar pa paguar faturën.

Scandurra sqaron se rezervimi ishte bërë njësoj si nga çdo klient tjetër dhe se mes picerisë dhe influencerit nuk kishte asnjë marrëveshje për reklamim, postime apo bashkëpunim në rrjetet sociale.

Fatura e darkës, sipas pronarit, ishte rreth 60 euro. Megjithatë, dy klientët u larguan pa kaluar në arkë. Fillimisht Scandurra mendoi se mund të ishte një keqkuptim dhe doli pas tyre për t’u kërkuar pagesën, por nuk arriti t’i gjente.

Ajo që e zhgënjeu më shumë, sipas tij, ishte fakti se në ditët në vijim nuk pati asnjë kontakt nga influenceri për të shpjeguar situatën apo për të kryer pagesën.

Pas këtij episodi, pronari vendosi të bëjë publik qëndrimin e tij duke vendosur tabelën në hyrje të picerisë. Mesazhi është i drejtpërdrejtë dhe synon të bëjë të qartë se numri i ndjekësve në rrjetet sociale nuk konsiderohet nga biznesi si një arsye për të marrë shërbime falas.

Një histori që ka ndezur debat edhe më gjerë mbi marrëdhënien mes bizneseve dhe influencerëve, sidomos kur bëhet fjalë për kërkesa për darka apo shërbime në këmbim të promovimit online.

Në këtë rast, pronari i picerisë duket se ka zgjedhur një mënyrë të thjeshtë për ta bërë qëndrimin e tij të qartë: fama në Instagram nuk e anulon faturën në fund të darkës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit