Ndërrohet mbulesa e Qabes në Mekë, peshon 1.415 kg dhe është e qëndisur me ar dhe argjend

Ndërrohet mbulesa e Qabes në Mekë, peshon…

Me rastin e fillimit të vitit të ri 1447 sipas kalendarit Hixhri, Arabia Saudite ka kryer ndërrimin e mbulesës së Qabes në qytetin e shenjtë të Mekës. Autoriteti i Përgjithshëm për Çështjet e Xhamisë së Shenjtë dhe asaj të Profetit njoftoi se procesi u realizua mbrëmjen e djeshme nga një ekip prej 154 specialistësh.

Mbulesa e re, e përbërë nga 47 pjesë me një peshë totale prej 1.415 kilogramësh, u prodhua duke përdorur rreth 825 kilogramë mëndafsh të pastër dhe 180 kilogramë argjend e ar. Ndërrimi i saj zgjati me orë të tëra për shkak të kompleksitetit dhe përkushtimit që kërkon ky proces. Në pjesën e brezit rreth Qabes janë qëndisur vargje nga Kurani me fije ari dhe argjendi.

Mbulesa e re u prodhua në kompleksin “Mbreti Abdulaziz Kiswa” në Mekë, ku punojnë rreth 200 zejtarë dhe punonjës të tjerë. Në këtë qendër ndodhet gjithashtu makina më e madhe e qepjes në botë, me gjatësi 16 metra, e cila përdor teknologji kompjuterike për të garantuar saktësi dhe cilësi të lartë.

Tradicionalisht, mbulesa ndërrohej çdo vit në ditën e Arafatit, më 9 Dhul-Hixhxhe, por që prej vitit 2022 kjo praktikë është zhvendosur në ditën e parë të muajit Muharrem. Mbulesa e vjetër pastrohet me ujë Zemzemi dhe shpërndahet në vende të ndryshme islame për ekspozim muzeal.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit