"Ndërroi jetë nga neglizhenca mjekësore!" Njoftohet protestë për Leo Sadikun

“Ndërroi jetë nga neglizhenca mjekësore!” Njoftohet protestë…

Një protestë do të zhvillohet të martën, më 18 shkurt, përpara Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me vdekjen e 12-vjeçarit nga Korça, Leo Sadiku. Familjarët kanë njoftuar se protesta do të nisë në orën 17:00 dhe do të kërkojnë drejtësi për djalin e tyre. Ata akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe trajtim të papërshtatshëm.

Sipas familjes, Leo nuk mori trajtimin e nevojshëm nga stafi mjekësor, pasi nuk iu kryen ekzaminime të nevojshme si EKO zemre, EKG, matje tensioni, apo analiza të tjera. Për më tepër, ata pretendojnë se 12-vjeçari nuk u dërgua në reanimacion, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore.

Protesta do të shërbejë gjithashtu si një thirrje për ndërhyrje dhe investime në sistemin shëndetësor, duke theksuar mungesën e pajisjeve dhe medikamenteve në spitale, çka shpesh mund të ketë pasoja fatale për pacientët. Për këtë arsye, qytetarët do të reagojnë të martën.

Në lidhje me rastin e Leo Sadikut, prokuroria e Korçës ka regjistruar një kallëzim penal nga familja për neglizhencë mjekësore, por dy ditë më parë shpalli moskompetencën dhe vendosi që dosja t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës, pasi i mituri humbi jetën në kryeqytet.

Qytetarët do të protestojnë jo vetëm për drejtësinë e Leon, por edhe për të drejtat e tyre, duke kërkuar që raste të tilla të mos përsëriten.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit