Ndërroi jetë nga shpërthimi i gomës së kamionit, arrestohet pronari i gomisterisë

Ndërroi jetë nga shpërthimi i gomës së…

Gjatë ditës së djeshme u regjistrua një viktimë pas shpërthimit të gomës së kamionit në një gomisteri në Durrës. Viktima i identifikuar si Rafael Telaj, 23-vjeç ndërroi jetë teksa po punonte për ndërrimin e një gome kamioni. Pas ngjarjes në pranga ka përfunduar shtetasi Xhemal Duka nën akuzën e “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”. Gjithashtu bëhet me dije se është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre” shtetasi Tiril Leba, (shoferi i ambulancës), i cili akuzohet se nuk ka shkuar në kohë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Durrës u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasi Xh. D., 54 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, në gomisterinë në pronësi të tij, si pasojë e një shpërthimi të një gome, humbi jetën shtetasi R. T., 23 vjeç (punonjës). Për këtë rast është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi T. L., 37 vjeç, banues në Durrës (shoferi i ambulancës), pasi dyshohet se është vonuar për të shkuar në vendngjarje, duke sjellë vonesë për dhënien e ndihmës së parë.
Kujtojmë se vonesën e autoambulancës e pohoi dhe një dëshmitar në vendngjarje, i cili pohoi se makina e urgjencës mbërriti shumë vonë pas rreth 45 minutash pasi kishte ndodhur ngjarja.
“Isha në kafe në kat të dytë dhe dëgjova një shpërthim të madh. Dola jashtë dhe pamë një re tymi të bardhë. Zbritëm poshtë dhe pamë që djali, 2 metër, e kishte zhvendosur fuqia e gomës disa metra dhe e kishte mbështetur pas disa hekurave nga presioni.
Lajmëruam urgjencën menjëherë dhe policinë. Urgjenca mbërriti me shumë vonesë. Askush nga ne s’ja jepnim dot ndihmën. Pritëm me ankth që të vinte urgjenca, se ndoshta dhe shpëtonte. Mbërriti shumë vonë makina e urgjencës. 15 minuta pas urgjencës mbërriti dhe policia.
E njihnim si djalë shumë punëtor. Punën e kishte afër me shtëpinë. Ai ishte shembull i shkëlqyer e një të riut që mbante familjen me bukë. Asnjë nuk ndërhyri për ta ndihmuar për shkak se mos e lëndonim. Fuqia e gomës kur e ka fryrë e ka shtyrë tek hekurat.”- tha ai.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit