Një ndërtesë e amortizuar, e pozicionuar pranë Stacionit të Trenit, në Durrës, përbën një rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
Godina ndodhet në një gjendje të rëndë strukturore, me kollona dhe beton të dëmtuar, që paralajmërojnë rrezik nga momenti në moment.
Pamjet e siguruara nga një qytetar tregojnë ndërtesën e cila “mezi qëndron në këmbë”, ndërsa rreth saj qarkullojnë çdo ditë qindra banorë, fëmijë dhe të moshuar, në një nga zonat më të frekuentuara urbane të qytetit.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mungesa totale e ndërhyrjes nga autoritetet lokale, pavarësisht rrezikut të dukshëm që paraqet ndërtesa. Denoncimi i qytetarit e përshkruan godinën si “në pritje të gjahut”, duke iu referuar mundësisë reale që ajo të shembet mbi kalimtarët apo banorët e afërt.
Këta të fundit thonë se kjo nuk është një situatë e pazakontë për qytetin e Durrësit, ku ende sot, gati 6 vjet pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019, dhjetëra ndërtesa të dëmtuara rëndë nuk janë shembur, rindërtuar apo siguruar siç duhet. Pavarësisht se u shpallën të pabanueshme pas verifikimeve të Institutit të Ndërtimit, shumë prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë bosh apo të lënë në harresë, duke përbërë minuta të heshtura rreziku për komunitetin.
Përballë kësaj situate, qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Durrësit, Inspektorati Ndërtimor dhe institucionet përgjegjëse, për të shmangur një ngjarje tragjike që mund të ishte lehtësisht e parandalueshme.
Denoncimi i qytetarit:
“Joq eshte dhe kjo ndertesa ne pritje te gjahut te kam sjell disa pamje eshte gati duke rene, mezi mbahet duken qarte dhe kollonat qe u kane dal hekurat. Ndodhet ne Durres me lagjen me te popullume prane Stacionit te Trenit eshte gati per te rene. Kur do ta shembi ajo kur tzej robt”
