Ndotja akustike nga motorët, shqetësim në rritje për kryeqytetin

Ndotja akustike nga motorët, shqetësim në rritje…

Lëvizja e motorëve në rrugët e Tiranës po kthehet gjithnjë e më shumë në një shqetësim për banorët, jo vetëm për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën qarkullojnë disa prej tyre, por edhe për ndotjen akustike që shkaktojnë.

Kryeqyteti vijon të përballet me nivele zhurmash mbi standardet e Bashkimit Evropian. Përveç automjeteve, burim i rëndësishëm i këtij problemi janë edhe motorët, si ata sportivë, ashtu edhe motorët me kubik të ulët që përdoren për shpërndarjen e ushqimeve dhe porosive.

Edhe pse motomjetet konsiderohen një alternativë praktike për të shmangur trafikun, modifikimi i paligjshëm i marmitave ka shtuar ankesat e qytetarëve pranë Policisë Rrugore për zhurmat e forta që ato prodhojnë.

Fenomeni bëhet edhe më i dukshëm gjatë orëve të natës, kur qarkullimi bie dhe zhurma e motorëve prish qetësinë e mijëra banorëve, shpesh edhe pas mesnate.

Sipas specialistëve, një pjesë e drejtuesve modifikojnë marmitat jashtë standardeve teknike, duke tejkaluar kufijtë e lejuar të decibelëve.

Policia Rrugore e Tiranës ka identifikuar zonat ku ky fenomen është më i përhapur dhe ku raportohen më shumë ankesa nga qytetarët.

Megjithëse legjislacioni ndalon ndërhyrjet në sistemin e shkarkimit të motorëve, në praktikë gjobat më të zakonshme janë deri në 4 mijë lekë, ndërsa ligji parashikon masa ndëshkimore që mund të arrijnë deri në 40 mijë lekë.

Përveç ndotjes akustike, shqetësim mbeten edhe manovrat e rrezikshme të disa drejtuesve të motorëve, të cilat shpesh bëhen shkak për aksidente.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, Policia Rrugore ka ndëshkuar 228 drejtues motomjetesh për shkaktim zhurmash dhe 820 të tjerë për tejkalim të shpejtësisë. Sipas autoriteteve, ndryshimet e mundshme në Kodin Rrugor mund të sjellin masa më efektive për uljen e ndotjes akustike të shkaktuar nga kjo kategori mjetesh.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit