Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se ndotja e mjedisit, sidomos në Tiranë, po ndikon gjithnjë e më shumë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të qytetarëve. Sipas tyre, është vënë re një shtim i dukshëm i problemeve si alergjitë, stresi dhe madje edhe sëmundjet tumorale.
Ata theksojne se janë rritur ndjeshëm sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, si dhe alergjitë, të cilat prekin veçanërisht fëmijët, por nuk përjashtojnë as grupmoshat e tjera, ndërkohë që ka një rritje shqetësuese të rasteve me tumore në kryeqytet. Përveç këtyre, një tjetër problem serioz është edhe stresi, i cili lidhet me kaosin urban dhe ndotjen, përfshirë atë të ajrit dhe zhurmën, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës për të gjithë, sidomos për më të vegjlit dhe të moshuarit.
Të dhënat nga Agjencia Europiane e Mjedisit tregojnë se ndotja ka ndikuar edhe në rritjen e vdekshmërisë në vend. Sipas këtyre raporteve, Tirana rezulton me një nivel më të lartë vdekjesh të lidhura me ndotjen krahasuar me disa kryeqytete të tjera të rajonit.
Ekspertët theksojnë se situata kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe aktorëve kryesorë. Ata sugjerojnë që vlerësimet e ndikimit në mjedis të shqyrtohen me kujdes edhe nga specialistët e shëndetit publik, në mënyrë që të kuptohet realisht efekti i tyre. Kjo është një praktikë e ndjekur nga shumë vende dhe shihet si një hap i rëndësishëm drejt ndërmarrjes së masave konkrete për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe reduktimin e ndotjes.
Sipas raporteve, faktorët kryesorë që ndikojnë në ndotjen e ajrit në Tiranë mbeten trafiku i rënduar, ndërtimet pa standarde dhe mungesa e hapësirave të gjelbra.