Ndotja nga djegia e skrapit në Elbasan, qytetari proteston i vetëm përpara Bashkisë

Ndotja nga djegia e skrapit në Elbasan,…

Sikur të mos u mjaftonte tymi kanceroz i përditshëm nga fabrikat e metalit, kompania Kurum dogji për dy ditë plastikën e skrapit të papërpunuar në Elbasan. Tymi shkaktoi re të dendura dhe një ndotje të lartë përreth zonës. Për këtë situatë të krijuar nuk pati asnjë përgjegjësi të mbajtur apo nisje hetimesh. Edhe njëherë, dëmi më i madh ishte për qytetarët të cilët po rëndojnë mushkritë me ndotjen nga Kurum.

Ndikuar nga kjo heshtje institucionale, aktivisti Gentian Serjani protestoi i vetëm përpara Bashkisë së Elbasanit. Me disa pankarta në duar, ai kërkoi që institucionet të ruajnë jetën e qytetarëve. Madje ai dorëzoi një peticion, ku i kërkon Gledian Llatjas që të ndërhyjë në rregullimin e aktivitetit të kompanisë Kurum dhe t’u ofrojë qytetarëve siguri për të jetuar.

“Çdo familje elbasanase e ka përjetuar humbjen e jetës së një vëllai, motre, babai, nëne, kushëriri, kushërire ose fqinji apo fqinje, prej kancerit. Çdo qytetar/e elbasanit e shpreh se: “po vdesim nga ajri ndotur”. Ndaj, ndërmora këtë veprim sot kundër heshtjes dhe mosreagimit të institucioneve. I bëj thirrje qytetarëve, organizatave, të reagojnë sipas mënyrës tyre!” – tha Gentian Serjani.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit