
Në Vlorë, menaxhimi i mbetjeve urbane bëhet ende me formën tradicionale, duke i vënë zjarrin. Djegia e tyre është bërë situatë problematike për banorët e lagjes “Kushtrimi”, të cilët hasen shpesh me këtë shqetësim.
Gjatë mesditës të kësaj të diele, ndikuar edhe nga era e fortë, grumbuj masiv mbetjesh janë djegur nga një zjarr i qëllimshëm. Si pasojë e zjarrit, periferia e Vlorës është pushtuar nga re tymi të mëdha, duke bërë që banorët të izolohen në shtëpi.
Ndërhyrja e zjarrfikseve ka qenë thuajse e pamundur, pasi era e fortë, e bën shumë të vështirë shuarjen e flakëve, që rriteshin çdo sekondë.