Ndryshimet kushtetuese të Ramës, Gjermania e Britania i dalin kundër: Duhej konsensus me të gjithë!

Ndryshimet kushtetuese të Ramës, Gjermania e Britania…

Kuvendi kaloi ditën e sotme ndryshimet kushtetuese të udhëhequra nga Edi Rama.

Por, fjalën kundër për këtë e kanë thënë edhe ambasadat e huaja.

Ambasadori gjerman, Peter Zingraf, nëpërmjet një deklarate shprehet i keqardhur që nuk pati dakordësi mes palëve, dhe se marrëveshja e arritur në 5 qershor, po kthehet sërish në konfliktuale.

Deklaratë e Ambasadorit Peter Zingraf:

Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese.

Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës.

Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit.

Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit.

Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë.

Reagim pati edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman.

Ai shprehet se duhej të kishte konsensus për këto ndryshime që u bënë sot, siç ndodhi në 5 qershor.

“Marrëveshja e 5 qershorit tregoi se çfarë mund të arrihet me dialog, kohë dhe vullnet politik.

Do të donim të kishim parë të njëjtën qasje konstruktive në miratimin e ndryshimeve të sotme të Kushtetutës.

Është thelbësore që ndryshimet e ardhshme të Kodin Zgjedhor të diskutohen gjerësisht me të gjitha palët në Këshillin Politik përpara se të votohen në parlament.” – u shpreh ambasadori britanik.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit