Ndryshon Kodi Rrugor, 70 orë trajnim për shoferët profesionistë

Ndryshon Kodi Rrugor, 70 orë trajnim për…

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim të ri që ndryshon mënyrën e kualifikimit dhe rinovimit të shoferëve profesionistë (kategoritë C dhe D), me synim përafrimin me standardet evropiane dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Sipas strukturës së re, kualifikimi fillestar përfshin 60 orë teori (jo më pak se 15 ditë) dhe 10 orë praktikë (jo më pak se 5 ditë). Ndërsa për rinovimin kërkohen 35 orë trajnim teorik në të paktën 7 ditë.

Një nga risitë kryesore është përfshirja e “Kodit 95” në lejen e drejtimit ose CAP, që vërteton përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.

Programi i ri përfshin gjithashtu teknologji moderne si “Smart Tachograph V2” dhe sistemet ADAS, që lidhen me sigurinë në drejtim, si frenimi automatik, mbajtja e korsisë dhe paralajmërimi i përplasjes. Po ashtu, i kushtohet rëndësi drejtimit ekologjik, me fokus në kursimin e karburantit dhe uljen e ndotjes.

DPSHTRR do të ketë kompetenca më të forta kontrolli ndaj autoshkollave, të cilat duhet të marrin miratim për kurset CAP dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve vjetore. Në rast shkeljesh, ato çregjistrohen menjëherë.

Risi është edhe përfshirja e 8 orëve trajnim mbi shëndetin dhe sjelljen profesionale, që përfshin menaxhimin e stresit, efektet e alkoolit, ushqyerjen dhe parandalimin e kriminalitetit gjatë transportit.

Rinovimi i CAP tashmë kushtëzohet nga përfundimi i trajnimit 35-orësh, ndërsa për ata që kanë dy kategori (mallra dhe pasagjerë), rinovimi mund të bëhet njëkohësisht.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit