Ndryshon Kushtetuta/ Rama sfidon partnerët, SHBA-BE: Është për të ardhur keq

Ndryshon Kushtetuta/ Rama sfidon partnerët, SHBA-BE: Është…

Shënim: Karikatura, punim i mjeshtrit Bujar Kapexhiu për Gazetën Mapo

Ashtu siç ishte paralajmëruar, mazhoranca e ndihmuar dhe nga deputetët zëvendësues të listave të opozitës, ka votuar me 106 vota pro ndryshimet kushtetuese dhe ndalimet e koalicioneve. SHBA dhe BE kanë shprehur keqardhjen për mungesën e gjithëpërfshirjes në këtë proces, ndërsa Gjermania i ka kujtuar sfidat që e presin vendin, ku veç hapjes së negociatave ka përmendur dhe procesin e rindërtimit apo krizën që pritet pas COVID-19. Reagimi i fortë dhe nga opozita, Basha i drejtohet Ramës: Pas zgjedhjeve të pret burgu!

Pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve, kundërshtive të opozitës dhe opinionit publik, Edi Rama ka përmbushur dje nismën e tij, për të ndryshuar i vetëm Kushtetutën. Në këtë nismë është ndihmuar dhe nga deputetët zëvendësues të listave, të cilët e kanë çuar në 106 numrin e votave në favor të projektligjit që ndryshon Kushtetutën e vendit.

Reagimet e ndërkombëtarëve kanë qenë të menjëhershme, ku më i ashpri duket të ketë ardhur sërish nga Gjermania. Ambasadori Peter Zingraf, i ka kujtuar mazhorancës se qeveria gjendet para sfidave të mëdha, dhe këtu s’bëhet fjalë vetëm për negociatat, por edhe për rindërtimin pas tërmetit ku Shqipëria ka kërkuar rreth 1.2 miliard euro, si dhe kapërcimin e pasojave të COVID-19. Ndërsa, ambasadorja amerikane ka premtuar se do të vëzhgojë nga afër procesin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

SHBA
Reagimet kanë qenë të menjëhershme, si nga politika shqiptare ashtu dhe nga ndërkombëtarët. Ambasadorja e SHBA Youri Kim, i ka kujtuar dje për të dytën herë Edi Ramës, se është nën vëzhgim për sa i përket sjelljes së tij, pavarësisht se ky i fundit luajti kartën e liderit sovran kur në sallën e kuvendit u shpreh i keqardhur nga deklaratat e zonjës Kim, duke vënë në dukje se SHBA-të e kuptojnë dhe zhgënjimin e opozitës. “Sot (dje), Parlamenti miratoi ndryshime në Kushtetutë që do të mundësojnë masa shtesë për Reformën Zgjedhore.

Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, me gjithë miratimin e sotëm (djeshëm) në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur një marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet. Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve

Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mirë të popullit shqiptar” thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Gjermania
Por akoma më i ashpër në qëndrimin e tij është paraqitur ambasadori gjerman në Shqipëri Peter Zingraf. Sipas tij, marrëveshja e 5 qershorit po merr përmasa konfliktuale, ndërsa i ka kujtuar mazhorancës se Shqipëria ndodhet përpara sfidave të mëdha, ku përveç negociatave të anëtarësimit në BE ka kujtuar dhe procesin e rindërtimit pas tërmetit dhe pasojat që mund të lërë kriza e COVID-19, ku Gjermania ka një rol të veçantë, qoftë me votën për anëtarësimin, qoftë me lëvrimin e fondeve.

“Shpreh keqardhjen që me gjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit Reforma Zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës. Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësorë për të ardhmen e vendit” thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.

Bashkimi Evropian
Gati në të njëjtën linjë kanë qenë dhe Komisioni Evropian, Bashkimi Evropian dhe Ambasada Gjermane këtu në Tiranë. Në një postim në rrjetet sociale, zëdhënësja e komisionerit për zgjerimin Anna Pisioneri është shprehur se është për të ardhur keq që fryma e arritur në marrëveshjen e qershorit nuk u realizua dhe për ndryshimet kushtetuese. “Ne njohim miratimin e disa ndryshimeve kushtetuese që kaluan në parlamentin e Shqipërisë në lidhje me sistemin zgjedhor, është fatkeqësi që nuk pati kohë përgatitore për të gjetur një kompromis, me të gjitha partitë në Këshillin Politik.

Amendamentet e Kodit Zgjedhor të kaluara në parlament më 23 korrik nga marrëveshja e 5 qershorit, bazohen në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dhe kanë përmbushur kërkesën e vënë nga Këshilli, kur u vendos hapja e negociatave. Tashmë është thelbësore që këto amendamente të futen në Kodin Zgjedhor, e po ashtu edhe ndryshimet kushtetuese, në veçanti hapja e listave dhe ndryshimi i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen në Këshillin Politik me të gjithë faktorët politikë, në një mënyrë bashkëpunuese, para votimit” thuhet në deklaratën e KE-së. Të njëjtin postim ka shpërndarë në faqen e tij dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca.

Debate mes palëve/ Basha e paralajmëron me burg, Rama: Po nxitohesh

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit, teksa e ka paralajmëruar se pas zgjedhjeve të ardhshme vendi i tij do jetë pas hekurave të burgut. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Basha shkruan, se Rama do marrë mbi vete të gjithë koston e destabilitetit social dhe politik që do të prodhojë vendimi i tij për ndryshimin në mënyrë të njëanshme të sistemit zgjedhor. “Koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit, do ta mbash vetëm ti personalisht Edi Rama.

Nëse mendon se me konfliktin e krijuar dhe me prishjen e stabilitetit demokratik të vendit, do të marrësh garanci për kokën tënde dhe të hajdutëve që të rrethojnë, po ta them prerë dhe shkurt: Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojnë të kenë në plan të parë, jo lojën tënde dhe të krimit që të drejton prej 22 vitesh në politikë, por hallet dhe problemet e shqiptarëve, që ti dhe Qeveria jote i kanë braktisur për hallet e tua personale” thotë Basha. Më herët para votimit në parlament, opozita e bashkuar kish dalë me një deklaratë ku i kërkonte mazhorancës të hiqte dorë nga ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës.

Meta
I ashpër në qëndrimin e tij është shfaqur dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili i ka kërkuar popullit të ngrihet në këtë përballje, ndaj atij që e konsideroi si “djali i komunistit që vari poetët për fjalën e lirë” duke iu referuar rastit të Havzi Nelës. Meta premtoi se, do të jetë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, ndërkohë që nuk la pa akuzuar dhe disa ndërkombëtarë, të cilët sipas tij me retorikat e tyre po dëmtojnë aspiratën evropiane të shqiptarëve “Akti i sotëm (djeshëm) i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!

Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti. Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Edi Rama e ftoi sot (dje) popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë. Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!” shkruan Meta në faqen e tij zyrtare në FB.

Rama
Edhe kryeministri, Rama nga ana e tij ka preferuar që përgjigjen e tij për kreun e opozitës dhe presidentin e Republikës ta japë në rrjetet sociale. Duke iu referuar deklaratës së Bashës që i kujtoi burgun, Rama u shpreh se është reagim i nxitur, ndërkohë që e ka ftuar sërish në Këshillin Politik tashmë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Reagimi yt ndaj ftesës sime për të vijuar punën bashkërisht dhe reflektuar në Ligjin Zgjedhor risitë kushtetuese është shumë i nxituar! Kërcënimet për konflikt e për fatura kostosh personale, tregojnë humbje të busullës! Në emër të shqiptarëve vendos Parlamentit. Prandaj mos humb kohë me dokrra të vjetra, duke përsëritur po atë avaz që ju ka çuar nga humbja në humbje, po le të vazhdojmë punën e nisur. 5 qershorin aty e ke, top në Ligjin Zgjedhor, ku tani duhet të integrojmë edhe 30 korrikun!

Ta bëjmë së bashku e mos harro, s’presim dot gjatë!”, shkruan Rama. Për sa i përket Presidentit, Rama i kujtoi se është një ripërsëritës i shkeljeve kushtetuese. Duke preferuar t’i drejtohet në emër Rama shkruan “Ilir, ti je një shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venezias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar! Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz, respektuam Venecian e s’të shkarkuam, sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit! Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin!”.

/Burimi: Gazeta Mapo/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit