Gjatë sezonit të verës, vëmendja e qytetarëve nga çdo cep i vendit, por edhe e turistëve të huaj, përqendrohet në zonat bregdetare, aty ku temperaturat përvëluese i shtyjnë njerëzit të kërkojnë freski dhe pushim. Një nga destinacionet më të preferuara prej vitesh mbetet Saranda qyteti jugor që ofron bukuri natyrore, por që këtë vit ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për turizmin, por edhe për një rritje të frikshme të kriminalitetit.
Muaji korrik është shoqëruar me një sërë incidentesh të rënda që kanë prishur ndjeshëm klimën e qetë të pushimeve. Përveç aksidenteve rrugore në vetëm dy javë, Saranda është goditur nga 9 ngjarje kriminale që kanë tronditur rëndë sigurinë publike dhe qetësinë e pushuesve. Nga plagosje me armë e deri te shpërthime me tritol, qyteti turistik është shndërruar në një skenë përplasjeje mes grupeve kriminale.
Në sfond të kësaj situate, policia lokale duket se vazhdon të jetë në gjumë, pa arritur të vendosë rendin në një qytet që, ndonëse i vogël në përmasa, po përjeton një intensifikim të dukshëm të ngjarjeve të rënda.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 03:30, në Sarandë mbërriti ndihmë nga forcat speciale RENEA, të mbështetura nga FNSH dhe “Shqiponjat”, për të zhvilluar një operacion kontrolli me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, të dyshuar për përfshirje në ngjarjet e fundit kriminale. Deri më tani, nuk ka informacione për rezultate konkrete nga ky aksion.
Ky është operacioni i dytë brenda pak ditësh, pas atij të zhvilluar fundjavën e kaluar nga forcat e policisë së Tiranës dhe Vlorës, i cili po ashtu nuk solli ndonjë përparim të ndjeshëm.
Në këto kushte, mbetet e paqartë nëse Policia Ilir Prodës do të arrijë të rikthejë kontrollin në një qytet në të cilin as ndihmat nga Vlora apo Tirana duket se janë të pafuqishme.