Në ambulancën e Yrshekut të vizitojnë merimangat dhe jo mjekët, godina në kushte primitive

Në ambulancën e Yrshekut të vizitojnë merimangat…

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili ngre alarmin për kushtet në ambulancën e lagjes Katundi i Ri, në Yrshek.

Sipas denoncuesit, godina ku marrin shërbim banorët ndodhet në kushte të mjerueshme higjieno-sanitare, me lagështirë, erë të rëndë dhe ambiente që, në vend të sigurojnë kujdes shëndetësor, krijojnë rrezik për pacientët.

Edhe vendndodhja e ambulancës është problem më vete. Qytetari thotë se ajo është e fshehur pas një dyqani dhe një bilardoje, ndërsa hyrja bëhet përmes një rrugice aq të ngushtë, sa vështirë se mund të kalojë një person i sëmurë, e jo më një pacient që ka nevojë për ndihmë urgjente.

Sipas tij, gjendja në brendësi është edhe më alarmante, por nuk ka mundur të filmojë dhomat e tjera pasi ato ishin të mbushura me pacientë.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, pasi e konsiderojnë të papranueshme që një qendër shëndetësore, ku qytetarët shkojnë për të marrë trajtim, të ofrojë kushte që, sipas tyre, rrezikojnë shëndetin dhe dinjitetin e pacientëve. Ata presin reagim nga autoritetet për përmirësimin urgjent të ambienteve të kësaj ambulance.

Mesazhi i qytetarit:

Përshëndetje JOQ. Këtu jemi te ambulanca e lagjes Katundi i Ri, Yrshek. Një tmerr i vërtetë, lagështirë dhe aromë e qelbur. Ambulanca është e fshehur mbrapa një dyqani dhe një bilardoje, me një rrugicë ku nuk ke ku fut një të sëmurë. Ju lutem ngrijeni si problem që të vihet dorë, se këtu hyn i shëruar dhe del i sëmurë. Do kisha bërë video edhe të dhomave të tjera, por ishin të zëna me pacientë dhe edhe ato janë një tmerr, të kap merimanga për kokë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit