Në hetim nga SPAK, Veliaj i jep 1.5 mln euro Integrated Energy

Në hetim nga SPAK, Veliaj i jep…

Inceneratori i Tiranës vijon të rrëmbejë miliona euro, pavarësisht se është nën hetim nga SPAK dhe paratë që ka marrë dhe vijon të marrë nuk kanë shkuar për asnjë shërbim. Ky është tashmë një fakt i njohur, pasi incenerator nuk ka. Në Sharrë ka vetëm një landfill, ku pirgu me plehra është kthyer në një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Open Data Albania, kompania Integrated Energy, mori me datën 25 janar 160 milionë lekë ose 1,5 milionë euro nga Thesari si pagesa nga Bashkia e Tiranës në dy fatura të ndryshme secila me mbi 80 milionë lekë. Faturat janë regjistruar në thesar me datën 26 janar dhe janë paguar menjëherë me 29 janar në përshkrimin “Ndërtim landfill, Incenerator dhe rehabilitimin e vend depozitimit të mbetjeve dhe prodhim e energjisë elektrike”.

Por këto nuk janë paratë e vetme që ka përfituar inceneratori fantazmë në vetëm 1 muaj të këtij viti. në janar të vitit 2024, kompania Integrated Energy BV SPV përgjegjëse për ndërtimin e indceneratorit të Tiranës është paguar nga thesari i shtetit me rreth 2.1 milionë euro, nga të cilat mbi 600 mijë ishin pagesa të prapambetura të Bashkisë së Durrësit dhe 1,5 milionë euro nga Bashkia e Tiranës. Ndryshe nga investimet e tjera publike inceneratori i Tiranës, i Elbasanit dhe i Fierit kanë marrë pagesa të rregullta nga buxheti, edhe pse janë inekzistente.

Në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, SPAK lëshoi në dhjetor të vitit të kaluar 15 udhër-arreste, ku disa prej të cilëve janë ekzekutuar dhe disa janë ende në kërkim. Për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli, drejtorin e infrastruktures ne Bashkine Tirane Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj, SPAK ka kërkuar masën e “arrestit në burg”, ndërsa për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola SPAK kërkoi një masë më të butë atë të arrestit në shtëpi.

Më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie. Hetimet kanë nisur që në vitin 2020, për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit