
Japoni sot numëron rreth 15.9 milionë mace dhe qen shtëpiakë – një shifër që tejkalon numrin e fëmijëve nën moshën 15 vjeç, të cilët janë vetëm 13.7 milionë. Ky ndryshim i dukshëm është një tregues i fortë i ngadalësimit demografik që po përjeton vendi.
Shkaktarët janë të shumtë: kostot e larta të banesave, arsimit dhe përkujdesjes për fëmijë, oraret e gjata të punës dhe rolet rigide gjinore i shtyjnë shumë çifte të vonojnë, ose krejtësisht të heqin dorë nga prindërimi. Në vend të kësaj, të ardhurat e disponueshme shpenzohen për kafshët shtëpiake, të cilat trajtohen si anëtarë të familjes.
Kjo ka sjellë një bum ekonomik në industrinë e kafshëve, e cila kap vlerën e 1.9 trilionë jenëve. Qentë dhe macet në Japoni ushqehen me ushqime luksoze, lëvizin me karroca të zbukuruara me kristale Swarovski dhe marrin trajtime në klinika veterinare të stilit spa.
Ndërsa kafshët marrin gjithnjë e më shumë përkujdesje, kjo tablo ngre pyetje serioze për të ardhmen demografike të Japonisë dhe rolin që do të luajnë kafshët në një shoqëri që po plaket me shpejtësi.