Biznesmeni i ndërtimit Ilir Shtufi, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe në pritje të ekstradimit nga Greqia, vijon të përfitojë miratime për projekte ndërtimi në Shqipëri.
Sipas dokumenteve të publikuara, më 26 qershor 2026, Këshilli Teknik pranë Ministrisë së Turizmit ka miratuar raportin e vëzhgimit arkeologjik sipërfaqësor për projektin turistik dhe rezidencial “Garden Hills”, që parashikohet të ndërtohet në territorin e Bashkisë Himarë.
Ky miratim është dhënë vetëm pak javë pasi ndaj Shtufit u lëshua urdhër arresti nga SPAK, në kuadër të hetimeve për një grup kriminal të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Sipas raportimeve, Ilir Shtufi ndodhet në Greqi që prej 12 qershorit 2026, ku po pret përfundimin e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Projekti “Garden Hills” parashikon ndërtimin e një resorti turistik dhe rezidencial me hoteleri, objekte banimi dhe ambiente shërbimi. Zhvillues të projektit rezultojnë kompanitë “Unlimited Construction” sh.p.k. dhe “Constructal” sh.p.k.
Miratimi është dhënë nga Këshilli Teknik i Ministrisë së Turizmit, i drejtuar nga Endri Haxhiu, i cili ka aprovuar raportin arkeologjik, një hap i domosdoshëm për vijimin e procedurave për lejen e ndërtimit.
Sipas hetimeve të SPAK, aktiviteti i disa kompanive të lidhura me Ilir Shtufin po verifikohet në kuadër të dyshimeve se janë përdorur për pastrimin e të ardhurave që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, në atë që hetuesit e kanë identifikuar si “Grupi Aruba”.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Ministria e Turizmit, kompanitë e përfshira apo përfaqësuesit ligjorë të Ilir Shtufit lidhur me miratimin e këtij projekti apo me hetimet që po zhvillohen ndaj tij.
Ndërkohë, procedurat për ekstradimin e biznesmenit drejt Shqipërisë vijojnë, ndërsa hetimet e SPAK për këtë çështje mbeten në zhvillim.