Në krye të detyrës për bukën e gojës, qytetarët u hedhin gurë e tulla policëve

Në krye të detyrës për bukën e…

Tensione të forta janë regjistruar gjatë protestës së zhvilluar sot para Kryesisë së Kuvendit, ku qindra qytetarë u mblodhën për të kërkuar largimin e asaj që e cilësojnë si politikën e vjetër.

Fillimisht, protesta u shoqërua me thirrje dhe hedhje vezësh në drejtim të deputetëve që hynin në godinën e Kuvendit. Forcat e policisë, të vendosura në kordon sigurie, u përpoqën të pengonin afrimin e protestuesve, ndërsa situata u tensionua më tej kur një pjesë e tyre hoqën gardhin metalik që ndante turmën nga efektivët.

Në ato momente nisi përplasja fizike mes protestuesve dhe policisë, me shtyrje, goditje dhe kaos që zgjati për disa minuta. Pamjet nga vendngjarja tregojnë skena të ashpra, ku tensioni kaloi çdo kufi të një proteste paqësore.

Në drejtim të efektivëve u hodhën gurë, tulla dhe objekte metalike. Si pasojë, 12 punonjës të Policisë së Shtetit mbetën të lënduar gjatë kryerjes së detyrës.

Veprimet e një grupi individësh, të cilët zgjodhën dhunën në vend të protestës qytetare, i ndryshuan tërësisht fytyrën tubimit. Një protestë që nisi si shprehje e pakënaqësisë qytetare u zbeh nga aktet e dhunës, duke lënë në plan të dytë kauzën për të cilën ishin mbledhur protestuesit.

Protesta është një e drejtë demokratike dhe mjet për të ngritur zërin kundër pushtetit. Por a mund të konsiderohet normale që ndaj njerëzve që ndodhen në shërbim, efektivëve që zbatojnë urdhrat e shtetit dhe dalin çdo ditë në punë për të siguruar jetesën e familjeve të tyre, të hidhen gurë, tulla e sende të forta që mund t’u sjellin dëmtime të rënda?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit