E ethshme ishte mbrëmja e djeshme për shumë figura politike, të cilët prisnin me ankth për të mësuar nëse do të ishin pjesë e listave për deputetë, apo sot do të zgjoheshin me lajmin se postin politik mund ta gëzojnë dhe për disa muaj, deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve.
Në Partinë Socialiste u krijuan shumë hatërmbetje pas përcaktimit të listave, pavarësisht se përfaqësues të caktuar nuk janë shprehur publikisht për to. Në korridoret e partisë qarkullojnë zëra se si u vendos që shumë emra të njohur e me kontribut në PS, të lihen jashtë listave, ose në rastin më të mirë në listë të hapur, ku mandati i deputetit nuk është i sigurt.
Megjithatë duket se kryeministri Edi Rama ka “shpërblyer” disa personazhe për shërbimin që i kanë bërë ndër vite duke e “mbrojtur” publikisht nëpër studio të ndryshme debati.
Një ndër këto emra është dhe Iris Luarasi, pedagodia e Gazetarisë, e cila e gjeti emrin mbrëmë në listën e sigurt të deputetëve për Tiranën. Edhe pse disa ditë më parë flitej që Luarasi do të merrte drejtimin e RTSh-së, Rama duket se ka pasur plane të tjera, për ta bërë deputete.
Vetë Luarasi deklaroi në një dalje publike se nuk kishte interes për postin e drejtoreshës së RTSh-së, për shkak se paga mbi 2 milionë lekë të vjetra nuk do t’i dilte për të mbuluar shpenzimet familjare, pavarësisht se rroga që merr si pedagoge është gati një herë më pak se kaq.
Disa javë më parë emri i Iris Luarasit u publikua në media si një person që ka marrë financime nga organizata USAID, për angazhimin në organizatën e saj jo-qeveritare “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”. Të ardhurat për të kanë qenë të kënaqshme nga organizata, me bazë page më shumë se 3.1 milion lekë të vjetra në muaj, dhe prandaj duket se posti i drejtueses së RTSh-së nuk i shkonte përshtat, pasi i “ulte reputacionin”.
Përveç pagës, Luarasi fitonte nga USAID edhe shuma të tjera për projekte nëpërmjet organizatës që drejtonte, psh sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Agjencisë së Ndihmës së Huaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizata “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, e drejtuar nga Iris Luarasi, ka përfituar mbi 300 mijë dollarë nga gjatë periudhës 2022-2023.
Me ardhjen e presindetit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ai urdhëroi ndërprerjen e financimeve të USAID, me pretendimin se financonte organizatat e kontrolluara nga Fondacionit Soros.
Tashmë Iris Luarasi, pas 11 majit, pritet të ketë dhe pagën e deputetes në Kuvend, për të mos thënë se Rama mund t’i japë akoma më shumë pushtet, duke e emëruar drejtuese të ndonjë ministrie.