
Në vendin tonë, dhuna me armë është kthyer në një plagë të përditshme që shpon jo vetëm trupat, por edhe ndërgjegjen kolektive të shoqërisë.
Ngjarjet e rënda që ndodhin në mes të qytetit, në vende publike, në shtëpi, rrugë apo lokale, po na mësojnë një të vërtetë të hidhur: Plumbat nuk kursejnë askënd, as të pafajshmit. Ata janë të verbër, pa ndjesi, pa mëshirë, dhe shpesh herë, godasin ata që nuk kanë asnjë lidhje me shënjestrën.
Sot, në zemër të Laçit, në një rrugë që për ironi të fatit kalon nga komisariati në drejtim të kishës së “Shna Ndout”, pesë persona u plagosën nga të shtënat me armë zjarri. Mes tyre, edhe një grua 58-vjeçare, Angjelina Gjezaj, e cila thjesht kishte dalë për të shitur qirinj e lule për besimtarët. Nuk ishte as kriminele, as dëshmitare, as shënjestër.
Ishte një qytetare që kërkonte të fitonte ndershmërisht jetesën. Por, plumbat nuk e pyetën për këtë. Ajo ndodhet në spital dhe urojmë të shpëtojë.
Një tjetër histori është ajo e Enea Thomaraj, një 29-vjeçar që nuk arriti të mbijetonte pas muajsh të tërë në spital. Ai u plagos rëndë nga shpërthimi që ishte planifikuar për fqinjët e tij, të njohura për përfshirje në botën e krimit. Enea nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin , nuk kishte borxhe, nuk kishte armiq, Ai ishte thjeshte në vendin e gabuar, në shtëpinë e tij. Por as për tritolin as për plumbin nuk ka as kohe as vend.
Ngjashëm ndodhi me Mimoza Pajën, e cila humbi jetën në Don Bosko në Tiranë, teksa po shërbente në një lokal. Atentatorët kishin një objektiv të qartë, një kriminel të njohur, por që nuk u “kujdesën” për jetët e pafajshme. Plumbat e tyre i morën jetën një gruaje që punonte për të mbajtur familjen.
Rasti i Gledian Mukës në Memaliaj është një tjetër dëshmi e një realiteti ku plumbat nuk bëjnë dallim. Ai ishte kamarier, punëtor i ndershëm, 36 vjeç, që punonte për të ushqyer familjen. Por, ai përfundoi viktimë e një atentati mafioz. Nuk ishte as pjesë e konfliktit, as mik i ndonjërit prej autorëve, thjesht gjendej aty.
Bashkim dhe Flutura Basha, udhëtonin me motor, po ktheheshin nga puna. Edhe këta qytetarë të zakonshëm, që nuk kishin lidhje me botën e krimit, e paguan me plumba çmimin e pafajësisë së tyre.
Këto histori, që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, janë pasqyra e një shoqërie ku dhuna është kthyer në normë, dhe ku drejtësia shpesh mungon. Fëmijë, gra, punëtorë të ndershëm, kalimtarë të rastësishëm, të gjithë janë kthyer në viktima të një klime kriminaliteti që nuk njeh kufij dhe nuk njeh fajtorë të vërtetë.
“Plumbat nuk kursejnë as të pafajshmit” nuk është vetëm një shprehje, është një thirrje për ndërgjegjësim. Sepse kur një shoqëri nuk mbron më të pafajshmit, kur drejtësia nuk i jep fund këtij zinxhiri dhune, atëherë jemi të gjithë të rrezikuar. Sot është Angjelina, Mimoza, Glediani… nesër mund të jetë kushdo prej nesh.