Në Prekaz festohet kuq e zi/ Qindra shqiptarë nderojnë familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së

Në Prekaz festohet kuq e zi/ Qindra…

Qindra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare vizituan kullat e Jasharve në Prekaz të hënën e 6 marsit. Në fortesën heroike, festohet 25-vjetori i rënies si fitimtarë të familjes Jashari, e cila luftoi e vetme përballë ushtrisë serbe. Mbi 7500 ushtarë serbe thuhet se rrethuan kullat e Ademit, Hamzës dhe Shaban Jasharit, për të vrarë familjen që frymëzonte një popull për liri.

Të shumtë vizitorët kanë qenë edhe nga Diaspora. Si çdo përvjetor, të larguarit nga vendi nuk harrojnë të nderojnë familjen që dha jetën për lirinë e Kosovës. Në ato kulla u flijuan mbi 50 anëtarë të familjes gjatë rezistencës së armatosur të tri ditëve të marsit 1998.

Familja Jashari ka kontribuar shumë, ne sot falë tyre e gëzojmë lirinë, falë dëshmorëve, shokëve të tyre, sot ne udhëtojmë të lirë, gëzojmë këtë liri… Prekazin e vizitoj çdo vit, jetoj në Zvicër por vij çdo herë me kënaqësi, sot kam ardhur vetëm për Epopenë e UÇK-së”, thotë një prej mërgimtarëve.

Në Prekaz nuk munguan as të rinjtë e vendit, ku studentë e nxënës të shkollave të ndryshme kishin ardhur në mënyrë të organizuar. Ata të cilët sot gëzojnë lirinë e vendit, kanë nderuar luftëtarët që dhanë jetën për Pavarësinë e Kosovës.

Adem Jashari është një hero shumë i njohur i Kosovës, ai ka sakrifikuar familjen e tij dhe veten për atdheun. Prekazin e vizitojmë shpesh sepse kemi dëshirë te përkujtojmë heroin tonë i cili ka luftuar për neve”, tha një nxënëse.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit