Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila ngre pikëpyetje serioze mbi kushtet dhe furnizimin e Qendrës Shëndetësore të Ksamilit, një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike gjatë sezonit veror.
Sipas saj, një vajzë që kishte nevojë urgjente për serum është përballur me një situatë absurde. Në vend që të merrte menjëherë ndihmën mjekësore, familjarëve u është kërkuar të shkonin në farmaci për të blerë vetë vigonin dhe agën, dy materiale bazë të domosdoshme për vendosjen e serumit.
Denoncuesja thotë se, për shkak të gjendjes së rënduar të vajzës, ata kërkuan që personeli të ndërhynte menjëherë, duke argumentuar se këto materiale duhet të ishin të disponueshme në qendrën shëndetësore. Sipas saj, reagimi i një punonjëseje ishte joetik, e cila u tha se nëse donin të qetësohej vajza, duhej t’i blinin vetë, pasi qendra nuk i kishte.
Qytetarja shton se, pasi bleu materialet në farmaci dhe u rikthye në qendër, një tjetër infermier reagoi me tone të larta, duke i akuzuar ata për mungesë edukate dhe duke pretenduar se vigoni dhe aget nuk ishte e detyrueshme të gjendeshin në qendrën shëndetësore.
Në mesazhin e dërguar për JOQ Albania, ajo shkruan:
“Erdhëm këtu sepse një vajzë kishte nevojë urgjente për serum, por ndërsa po prisnim na thanë se duhej të shkonim vetë të merrnim vigonin dhe agen. Kur kërkuam që t’i vendosnin menjëherë serumin, pasi vajza ishte në gjendje të keqe, na thanë se nuk kishin çfarë të bënin. Pasi i mora në farmaci, një infermier tjetër filloi të bërtiste dhe të na kritikonte, duke thënë se ne ishim të paedukatë dhe se ato gjëra nuk është e detyrueshme të gjenden aty. Po flasim për vigon dhe age. Nuk mendoj se këto kushte dhe kjo sjellje janë normale. Është turp që kjo ndodh në një zonë turistike si Ksamili.”
Qytetarja kërkon që rasti të bëhet publik, duke ngritur shqetësimin se është e papranueshme që një qendër shëndetësore në kulmin e sezonit turistik të mos ketë materiale kaq bazike për trajtimin e pacientëve, ndërsa ata detyrohen t’i blejnë vetë në farmaci për të marrë ndihmën e parë.
JOQ Albania pret një reagim nga autoritetet shëndetësore për të sqaruar pretendimet e ngritura nga qytetarja dhe për të shpjeguar nëse Qendra Shëndetësore e Ksamilit ka mungesa të furnizimeve bazë për trajtimin e pacientëve.