Në Shqipëri nuk lejohet të protestosh...

Në Shqipëri nuk lejohet të protestosh…

Pamjet e sotme nga protesta jashtë Parlamentit janë të rënda dhe ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si Policia e Shtetit po menaxhon tubimet qytetare.

Qytetarë që kishin dalë për të protestuar janë tërhequr zvarrë në rrugë, ndërsa në disa prej pamjeve shihen persona civilë të përfshirë në ndërhyrjet ndaj protestuesve.

Dhe këtu lind pyetja që kërkon përgjigje: Kush janë këta persona civilë dhe çfarë funksioni kanë në menaxhimin e një proteste?

Sipas parimeve të menaxhimit policor të tubimeve, ndërhyrja ndaj turmave duhet të kryhet nga struktura të trajnuara dhe të identifikueshme. Atëherë, përse në terren shfaqen edhe persona pa uniformë që marrin pjesë në shoqërimin dhe largimin fizik të qytetarëve?

Nëse këta persona janë punonjës të Policisë së Shtetit, përse nuk janë të identifikueshëm si të tillë për qytetarët? Dhe nëse janë pjesë e strukturave të tjera policore, kush i ka autorizuar të ndërhyjnë në menaxhimin e protestës?

Këto nuk janë pyetje të parëndësishme.

Sepse kur një qytetar del në rrugë për të ushtruar të drejtën e tij për protestë dhe përballet me persona civilë që e tërheqin zvarrë, transparenca nuk është zgjedhje, por detyrim.

Të protestosh është një e drejtë kushtetuese!

Policia ka detyrimin të garantojë rendin dhe sigurinë gjatë protestave, por njëkohësisht duhet të respektojë të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve.

Pamjet e sotme kërkojnë përgjigje të qarta nga institucionet: Kush ishin personat civilë të përfshirë në këto ndërhyrje? Në çfarë strukture bëjnë pjesë? Kush i ka autorizuar dhe mbi çfarë baze ligjore kanë ndërhyrë ndaj protestuesve?

Nuk mund të ketë transparencë vetëm kur kërkohet prej qytetarëve. Transparencë duhet të ketë edhe kur është vetë shteti ai që përdor forcën.

Sepse në një demokraci, protestuesi nuk duhet të trajtohet si armik.

Në Shqipëri, të protestosh është një e drejtë. Dhe askush nuk duhet të sillet sikur kjo e drejtë nuk ekziston.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit