Në Shqipëri të vrasin: Në mes të ditës, në mes të vendit!

Në Shqipëri të vrasin: Në mes të…

Mëngjesin e sotëm, pamja përrallore e Sarandës bregdetare u zëvendësua nga tmerri i një breshërie automatiku në zemër të qytetit. Britmat e një nëne që humbi dritën e syve çanë heshtjen e një orari ku rrugët mbushen me jetë, duke lënë pas një viktimë, një kalimtar të pafajshëm të plagosur dhe një qytet të tërë të ngrirë nga frika.

Artan Myrtaj, 44 vjeç, u ekzekutua pa mëshirë nga dy persona mbi motor me skafandra, ndërsa një qytetar i rastit u gjend në kohën dhe vendin e gabuar, i goditur nga sekondat e një lufte që nuk ishte e tija. Kjo ngjarje nuk është më thjesht një ngjarje kronike; është një deklaratë e hapur sfide. Në mes të vendit, në mes të ditës, mesazhi i grupeve kriminale është i qartë, i pastër dhe frikësues: “Ne vrasim kur të duam dhe ku të duam.”

Por pyetja që djeg sot çdo qytetar nuk lidhet vetëm me ekzekutorët, por me shtetin: Deri kur?

Saranda prej kohësh nuk po gjen më paqe. Mes shpërthimeve të tritolit dhe plumbave, qytetarët tashmë jetojnë nën psikozën e frikës, ku çdo motor me dy persona të maskuar shikohet si një kërcënim me jetë. Sot e pësoi një kalimtar, po nesër? Sa plumba duhet të përshkojnë hapësirat publike që të kuptohet se një breshëri në një vend të populluar nuk merr vetëm “shënjestrën”, por kërcënon fëmijët, gratë, pleqtë dhe çdo njeri që del nga shtëpia pa e ditur nëse do të kthehet më?

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit duket çdo ditë e më e pafuqishme, e dorëzuar përpara guximit të krimit të organizuar. Ministrat e Brendshëm që ndërrohen çdo gjashtë muaj si në një lojë karrigesh muzikore nuk kanë sjellë as rend, as siguri e as parandalim. Ndryshimi i emrave në zyrat e ekzekutivit nuk po përkthehet në siguri në rrugët e Shqipërisë.

Ekzekutimi i sotëm në Sarandë është pasqyra e një realiteti ku krimi ka marrë terren dhe shteti vazhdon të mbetet mbrojtës pas ngjarjes, duke numëruar gëzhojat e duke mbledhur lotët e nënave. Edhe sa bij nënash duhet të flijohen mbi asfalt që siguria e jetës të mos jetë më një çështje fati, por një e drejtë e garantuar?/I.Cani

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit