Pas fondit prej 4 milionë eurosh të akorduar nga qeveria shqiptare për koncertin e Kanye West, kanë nisur të qarkullojnë informacione se në muajin shtator në Tiranë mund të vijë edhe Jennifer Lopez. Lajmi u bë publik nga gazetari Lavdrim Lita, i cili deklaroi se kryeqyteti mund të presë një tjetër emër të madh të muzikës ndërkombëtare.
Jennifer Lopez ka kontaktuar qeverinë shqiptare, por deri më tani nuk dihet nëse bëhet fjalë për organizimin e një koncerti, një eventi privat apo një marrëveshjeje tjetër. Deri në këtë moment nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet shtetërore lidhur me këto pretendime.
Ndërkohë, përmendja e emrit të Jennifer Lopez ka rikthyer debatin mbi përdorimin e fondeve publike për aktivitete artistike. Vendimi i qeverisë për të financuar me 4 milionë euro koncertin e Kanye West shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një njoftim zyrtar për një event të mundshëm me artisten amerikane.