
Një qytetare nga Librazhdi i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar kushtet skandaloze të spitalit të qytetit, i cili drejtohet nga Ermir Sulollari.
Ajo kishte shkuar të shtunën në spital, dhe thotë se mbeti e shokuar kur mësoi se pacientët që kishin simptoma të ftohjes ose astmës, dërgoheshin me taksi në Elbasan, pasi skaneri, grafia dhe aparatët e imazhit në Librazhd nuk punojnë.
“Kryeinfermieri i thotë pacientëve nga fshati të marrin taksi dhe të shkojnë në Elbasan siç morën taksi për të shkuar në Librazhd,” shkruan denoncuesja, duke shtuar: “u përballa edhe me drejtorin e spitalit Ermir Sulollari dhe ia thashë në fytyrë që nuk duhet ta zërë gjumi që nuk punon grafia.”
Por duket se ky i fundit nuk i ka dhënë zgjidhje, por vetëm i ka thënë se ka bërë një kërkesë për ta zgjidhur këtë problem.
Kështu, qytetarët e Librazhdit janë lënë në kushte të mjerueshme shëndetësore, pasi në spitalin e qytetit maksimumi që mund të bësh është një gjilpërë ose serum. Thirrja shkon për ministrinë e Shëndetësisë, që të marrë masa për pajisjen me aparatura funksionale të spitalit të Librazhdit.
Mesazhi i denoncuesit:
Sot isha në spitalin e Librazhdit dhe u përballa me situata shqetësuese. Pacientët me ftohje dhe astmë po dërgohen në Elbasan, ndërsa kryeinfermieri i thotë pacientëve nga fshati të marrin taksi dhe të shkojnë në Elbasan siç morën taksi për të shkuar në Librazhd.
Ndërkohë, u përballa edhe me drejtorin e spitalit Ermir Sulollari dhe ia thashë në fytyrë që nuk duhet ta zërë gjumi që nuk punon grafia por ai me fjalë të mëdha dhe me “besim të plotë” më garantoi se situata do të rregullohet dhe se kishte dërguar një email për ta zgjidhur…
Po, asgjë nuk ka ndryshuar nga javën e kaluar, dhe fanatizmi me fjalë të mëdha është i dukshëm.
Më vjen keq, por skanerët, grafia dhe aparatët e imazhit në këtë spital nuk funksionojnë dhe kjo nuk është mohuar. Këta drejtues pa asnjë përgjegjësi, po dështojnë në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët e Librazhdit, të cilët vizitohen çdo ditë. Qytetarët kanë nevojë për shëndet të shpejtë dhe efektiv.
Ju lutem, bëjeni publike këtë situatë alarmante pasi është kohë virozash dhe njerëzit po lodhen me vajtje ardhje drejt Elbasanit.