Në Tiranë dhe Kamëz rrugët si në mesjetë, Veliaj e Suli në 'gjumë'

Në Tiranë dhe Kamëz rrugët si në…

Edhe dy javë na ndajnë nga viti 2024, por shumë rrugë brenda dhe në periferi të Tiranës vijojnë të mbeten në gjendje të degraduar si mos më keq. Denoncimet e banorëve të Tiranës, në zemër të saj, por dhe periferi që denoncojnë rrugët e dëmtuara të zonës dhe lagjeve ku jetojnë, nuk kanë fund.

Ndonëse Erion Veliaj ka që në vitin 2016 që është ulur në karrigen e kryebashkiakut, rrugët e Tiranës dhe periferive të saj vijojnë të mbeten me gropa, me baltë dhe pa asnjë standard. Duke marrë parasysh ankesat e shumta të qytetarëve, që nuk kanë fund, përkundrazi po shtohen çdo ditë, tregon qartë se kryetari nuk e vë ujin në zjarr duke mos iu shërbyer si duhet popullit i cili e ka votuar.

 Së fundmi në redaksi kanë mbërritur denoncime për rrugët e disa zonave në Tiranë. Siç shihet në Mullet rruga është copë-copë si të ishte në ndonjë zonë lufte.

 Gjithashtu në fshatin Kasall në Komunën e Zall Herrit, rruga është me baltë kudo duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve por edhe këmbësorëve.

Edhe në Sharrë gjendja e rrugëve paraqitet në një panoramë ku sheh vetëm gropa me ujë.

Rrugë të tilla gjen edhe në Kamëz, aty ku Rakip Suli është në krye të Bashkisë. Konkretisht një banor i Laknasit ka dërguar pamje të rrugës së zonës që shihet se është një turp i madh.

Rrugët në fjalë nuk janë problem vetëm për këmbësorët, por edhe për shoferët e makinave që kalojnë në ato rrugë, të cilët kanë zënë hall me ndërrimin e gomave të makinave.

Degradimi i rrugëve të jep përshtypjen sikur jeton në mesjetë. Qytetarët paguajnë taksa dhe sikur këto para të tyre të shkonin për infrastrukturën e rrugëve të Tiranës, banorët nuk do të jetonin mes llucës dhe gropave me ujë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit