Në Varshavë për ëndrrën, a do t’ia dalin kuqezinjtë të mposhtin Poloninë?

Në Varshavë për ëndrrën, a do t’ia…

Mbrëmja e sotme premton emocione të mëdha për futbollin shqiptar. Në orën 20:45, në stadiumin PGE Narodowy të Varshavës, Kombëtarja shqiptare e futbollit zbret në fushë për të kërkuar historinë përballë Polonisë, në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026.

Trajneri Sylvinho ka dorëzuar listën zyrtare me 23 futbollistët e gatshëm për këtë përballje vendimtare, ku bien në sy mungesat e Jasir AsaniNazmi Gripshi dhe Klisman Cake. Asani vijon të jetë jashtë fushave prej kohësh pas largimit nga Irani për shkak të situatës së luftës, ndërsa dy mungesat e tjera lidhen më shumë me zgjedhje teknike, për shkak të konkurrencës së lartë në repartet respektive.

Lista e Shqipërisë:

  • Portierë: Thomas StrakoshaElhan KastratiMario Dajsinani

  • Mbrojtës: Mario Mitaj, Stavro Pilo, Naser AlijiBerat GjimshitiBujar PllanaArlind AjetiArdian IsmajliElseid HysajIvan Balliu

  • Mesfushorë: Kristjan AsllaniAdrion PajazitiYlber RamadaniJuljan ShehuQazim LaçiArbër HoxhaAnis Mehmeti

  • Sulmues: Myrto UzuniErnest MuçiNedim BajramiArmando Broja

Ndërkohë, historia nuk është në anën e kuqezinjve. Në 15 përballje mes dy ekipeve, Polonia numëron 10 fitore, ndërsa Shqipëria vetëm 2, me 3 ndeshje të mbyllura në barazim. Megjithatë, kujtimi më i freskët është ai i triumfit 2-0 në “Air Albania” në vitin 2023, që mban ende gjallë besimin për një tjetër mbrëmje historike.

Në rast kualifikimi, Shqipëria do të përballet më 31 mars me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi, në finalen e play-off-it, për një biletë drejt Botërorit që këtë vit zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

E si të mos mjaftonte kjo, mbrëmja bëhet edhe më “shqiptare”: paralelisht në fushë zbresin edhe Dardanët që luajnë ndeshjen e tyre, duke e kthyer këtë datë në një test nervash dhe shprese për gjithë tifozët shqiptarë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit