Nelson Weiper lë derën hapur për përfaqësimin tek Shqipëria

Nelson Weiper lë derën hapur për përfaqësimin…

Sulmuesi i ri i Mainzit konfirmon interesin nga FSHF-ja dhe e cilëson kontaktin si një nder dhe ndjenjë krenarie

Nelson Weiper, talenti 20-vjeçar i Mainzit, ka deklaruar se është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për t’u bashkuar me Kombëtaren A të Shqipërisë. I lindur në Gjermani, por me origjinë shqiptare nga nëna, sulmuesi i ri e konsideron këtë ftesë si një nder të madh për të dhe një moment të rëndësishëm në karrierën e tij.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane Kicker, Weiper u shpreh i emocionuar për interesimin e treguar nga Shqipëria, duke theksuar se një thirrje nga Kombëtarja është gjithmonë burim krenarie. “Jam kontaktuar nga FSHF për Kombëtaren A dhe ky është një nder i madh. Është ndjesi e veçantë kur një ekip kombëtar të dëshiron”, tha ai.

Pavarësisht këtij interesi, sulmuesi nuk e ka mbyllur derën për përfaqësimin e Gjermanisë, me të cilën aktualisht luan për ekipin kombëtar U21. Ai theksoi se objektivi i tij është të arrijë në ekipin A të Gjermanisë dhe të kontribuojë për sa më gjatë me ngjyrat gjermane.

Sidoqoftë, Weiper la të hapur mundësinë për të ndryshuar rrugë nëse situata nuk shkon sipas pritshmërive. Ai u shpreh se nëse nuk arrin të konsolidohet në përfaqësuesen gjermane, Shqipëria mbetet një opsion serioz dhe mjaft tërheqës për të ardhmen.

“Aktualisht jam i fokusuar të tregoj vlerat e mia me Gjermaninë U21 dhe të jap maksimumin. Por nëse një ditë nuk funksionon kjo rrugë, do ta konsideroj Shqipërinë si një alternativë mjaft të mirë”, deklaroi ai.

Në Kampionatin Evropian për U21, Weiper është pjesë kyçe e skuadrës gjermane. Ai spikati në ndeshjen ndaj Anglisë duke realizuar një gol vendimtar në fitoren 2-1, që i dha Gjermanisë vendin e parë në Grupin B.

Me potencialin e tij të madh dhe me dy shtete që e kërkojnë, vendimi i Weiper pritet me interes të lartë, si nga tifozët shqiptarë ashtu edhe nga ata gjermanë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit