Nëna e 17-vjeçares së dhunuar në Fier: Në spital shkoi me hematoma, autoritetet reaguan pas publikimit

Nëna e 17-vjeçares së dhunuar në Fier:…

Familjarët e 17-vjeçares nga Fieri, e cila u dhunua nga tre bashkëmoshatare brenda një banese, kërkojnë drejtësi dhe ngrenë akuza për mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse.

Sipas tyre, edhe pse ngjarja u denoncua menjëherë në polici, për më shumë se një muaj nuk pati asnjë veprim konkret, duke rënduar gjendjen psikologjike të vajzës dhe të familjes së saj.

E mitura kishte përfunduar në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me hematoma dhe shenja të dukshme dhune në trup. Por familjarët pretendojnë se spitali nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese për rastin, duke lënë që denoncimi të bëhej më pas nga vetë familja.

Nëna e 17-vjeçares rrëfen momentin kur mësoi për gjendjen e vajzës.

“Burri më telefonoi dhe më tha: ‘Goca është në spital’. E pyeta çfarë kishte ndodhur, por as ai nuk e dinte. Kur shkova ta merrja, e pashë me buzën e çarë dhe me shenja të zeza pas veshëve. E pyeta se çfarë i kishte ndodhur dhe më tha se kishte shkuar në spital, i kishin bërë mjekimin dhe më pas e kishin lënë të dilte”, tregon ajo.

Pas denoncimit në Policinë e Fierit më 8 qershor, vajza është marrë në pyetje në prani të psikologes, ndërsa efektivët kanë dokumentuar edhe shenjat e dhunës në trupin e saj.

Familjarët thonë se në polici u premtua se çështja do të ndiqej menjëherë, por sipas tyre, më pas nuk morën asnjë informacion për ecurinë e hetimeve.

“Qëndruam rreth tre orë në polici. Vajza foli me psikologen, dha deklarimet dhe u filmuan shenjat në trup. Na thanë: ‘Shkoni në shtëpi, sepse çështja do të zgjidhet nesër’. Kaluan ditë dhe askush nuk na kontaktoi. Prisnim një njoftim si prindër, por nuk morëm asnjë përgjigje”, shprehet nëna.

Një tjetër shqetësim i familjes lidhet me videon e dhunës, për të cilën pretendohet se është regjistruar nga autorët. Sipas nënës së vajzës, pavarësisht deklarimit të së miturës, për javë të tëra nuk është ndërmarrë asnjë masë për sekuestrimin e telefonave celularë dhe sigurimin e provave.

“Kam shkuar disa herë në polici për të pyetur se çfarë ishte bërë me videon dhe denoncimin. Më thanë vetëm se provat ishin dërguar në Prokurori, por nuk më dhanë asnjë informacion tjetër. Nuk dija as kush ishte prokurori që ndiqte çështjen. Ka kaluar gati një muaj dhe nuk kam marrë asnjë zgjidhje”, deklaron ajo.

Familja shprehet se për rreth një muaj e gjysmë nuk ka pasur asnjë kontakt nga policia, prokuroria apo shërbimet sociale, duke e lënë vajzën pa mbështetjen e nevojshme pas traumës së përjetuar.

“Për një muaj e gjysmë nuk na kontaktoi askush. As policia, as prokuroria. Shërbimet sociale erdhën vetëm në fund. Nuk morëm asnjë ndihmë apo komunikim nga institucionet”, thotë nëna.

Sipas familjarëve, reagimi institucional ka ardhur vetëm pasi rasti u bë publikua në JOQ. Aktualisht, nga frika dhe pasiguria, 17-vjeçarja po qëndron te të afërmit, ndërsa familja kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndëshkimin e autorëve dhe verifikimin e përgjegjësive të institucioneve që, sipas tyre, nuk reaguan në kohë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit