Nëna e Aurorës flet pasi ish i dashuri i vajzës pranoi vrasjen: S'do e fal kurrë, rrëfimi ishte për të ulur dënimin

Nëna e Aurorës flet pasi ish i…

Morena Corbellini, nëna e 13-vjeçares Aurora Tila, ka reaguar ashpër pas rrëfimit të ish-të dashurit të vajzës së saj, i cili, pas gati dy vitesh, pranoi se ishte autori i vrasjes së saj.

I riu, i akuzuar për vrasje të rënduar, e pranoi fajin më 13 korrik gjatë procesit në apel, duke deklaruar se ishte ai që e hodhi Aurorën nga ballkoni i një pallati në Piacenza më 25 tetor 2024. Në gjykimin e shkallës së parë ai ishte dënuar me 17 vite burg.

Në një intervistë për mediat italiane, Corbellini u shpreh se nuk e beson aspak pendesën e të dënuarit dhe se rrëfimi i tij është bërë vetëm për të siguruar një ulje të dënimit.

“Ka zgjedhur një rrugë shumë dinake. Fillimisht u shpall i pafajshëm dhe kërkoi gjykim të shkurtuar. Tani, pas gati dy vitesh, pranoi krimin dhe kërkoi falje, vetëm me shpresën se do të përfitojë një dënim më të lehtë”, tha ajo.

Nëna e Aurorës theksoi se faljet e autorit nuk i duken aspak të sinqerta.

“Nuk pashë asnjë shenjë pendese në fytyrën e tij. Madje, gjatë seancës shikonte vazhdimisht avokatin për të kuptuar se çfarë duhej të thoshte”, u shpreh Corbellini.

Ajo deklaroi se nuk do ta falë kurrë vrasësin e vajzës së saj, por as nënën e tij, të cilën e akuzon se dinte të vërtetën që në fillim dhe nuk bashkëpunoi me drejtësinë.

“Një nënë e vërtetë duhet të tregojë atë që di, jo të gënjejë përballë dhimbjes së një familjeje tjetër”, tha ajo.

Corbellini përsëriti se nuk e ka besuar kurrë versionin se Aurora mund të kishte kryer vetëvrasje.

“Vajza ime e donte jetën. Nuk kam menduar asnjëherë se ajo mund të kishte bërë një gjë të tillë”, u shpreh nëna e 13-vjeçares.

Duke kujtuar momentin kur dëgjoi rrëfimin në sallën e gjyqit, ajo tha se zgjodhi të mos reagonte.

“Heshta, sepse që në fillim isha e bindur për atë që kishte ndodhur. Shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të mos i ulet dënimi”, deklaroi ajo.

Edhe pse pranon se vendimet i takojnë ligjit, Corbellini tha se 17 vite burg i duken një dënim i pamjaftueshëm për krimin e kryer.

Sipas saj, i riu ka shfrytëzuar çdo mundësi procedurale për të përfituar ulje dënimi, duke përmendur edhe pretendimet e tij për rehabilitim në burg.

“Nuk e di çfarë rehabilitimi po ndjek, por dihet se gjatë qëndrimit në burg ka pasur edhe shkelje të tjera. Më duket një djalë shumë i trazuar”, tha ajo.

Në fund të intervistës, Morena Corbellini foli me dhimbje për mungesën e vajzës së saj.

“Aurora ishte gjithçka për mua. Më mungon çdo ditë. Ende shpresoj ta dëgjoj apo ta shoh, por e di që kjo nuk do të ndodhë më. Jeta pa të nuk është më jetë. E vetmja gjë që mund të bëj është të vazhdoj përpara dhe të luftoj në emrin e saj”, përfundoi ajo.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit