Nëna e vetme me katër fëmijë kërkon ndihmë: Prej 4 muajsh jam pa strehë

Nëna e vetme me katër fëmijë kërkon…

Një nënë e vetme me katër fëmijë të mitur kërkon ndihmë nga Bashkia Fier, pasi prej katër muajsh ndodhet në kushte të vështira strehimi dhe nuk ka mundësi të sigurojë një banesë për veten dhe fëmijët e saj.

Përmes një mesazhi drejtuar redaksisë, qytetarja rrëfen vështirësitë me të cilat po përballet, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për sigurimin e një strehimi social dhe mbështetjeje për fëmijët.

Ajo thotë se është paraqitur pothuajse çdo ditë pranë bashkisë për të kërkuar ndihmë, por nuk ka marrë zgjidhje konkrete. Qytetarja shprehet se si përgjigje i është thënë se nuk e gjejnë në banesë, ndërkohë që ajo thotë se nuk ka një strehë ku të jetojë.

“Jam nënë e vetme me katër fëmijë. Kam katër muaj që kam mbetur jashtë. Kam kërkuar një banesë sociale, por nuk po më jepet asnjë ndihmë”, rrëfen ajo.

Në mesazhin e saj, gruaja tregon se ka takuar edhe kryetarin e bashkisë, të cilit i ka shpjeguar kushtet ku qëndron me fëmijët, madje edhe përmes një videoje. Megjithatë, sipas saj, as kjo përpjekje nuk ka sjellë një zgjidhje për situatën e familjes.

Nëna tregon se fëmija më i vogël është vetëm një vjeç e gjysmë, ndërsa fëmija më i madh ndjek klasën e tretë. Ajo thotë se nuk ka mundësi financiare të paguajë çerdhen për të voglin, çka e vështirëson edhe më shumë mundësinë për të gjetur punë dhe për të siguruar të ardhurat e nevojshme për familjen.

“Jam vetëm fare me fëmijët. Nuk kam ku t’i lë që të dal të punoj. Të voglin nuk kam mundësi ta çoj në çerdhe, ndërsa i madhi është në klasën e tretë”, shprehet qytetarja.

Ajo kërkon gjithashtu mbështetje për fëmijët duke treguad se nuk ka përfituar asnjë ndihmë nga institucionet.

Përmes këtij apeli, nëna kërkon që rasti i saj të bëhet publik, me shpresën se institucionet përgjegjëse do të ndërhyjnë për t’i siguruar një strehim dhe mbështetjen e nevojshme për katër fëmijët e saj.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit