Në një kohë kur ditëlindjet shoqërohen gjithnjë e më shumë me festa luksoze dhe dhurata të shtrenjta, një nënë ka zgjedhur t’i dhurojë vajzës së saj diçka që nuk zbehet me kalimin e viteve: një letër të shkruar me dorë, plot dashuri, këshilla dhe vlera për jetën.
Mesazhi ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku vetë dërguesja e cilëson këtë gjest si një shembull të bukur për të gjithë prindërit, në një kohë kur po humbet gjithnjë e më shumë zakoni i të shkruarit letra dhe i shprehjes së ndjenjave me fjalë të sinqerta.
Në letrën dedikuar vajzës së saj, Ajlës, në ditëlindjen e 11-të, nëna rrëfen emocionet që nga momenti kur u bë prind për herë të parë, kujton rrugëtimin e tyre së bashku dhe i përcjell këshilla që shpreson ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës.
Mes të tjerash, ajo e nxit të jetë e ndershme, e sjellshme, të flasë gjithmonë me respekt, të besojë te vetja dhe të mos harrojë se karakteri dhe edukata vlejnë më shumë se çdo pasuri materiale. Ajo i kujton gjithashtu se suksesi ka kuptim vetëm kur shoqërohet me përulësi, mirënjohje dhe dinjitet.
Në fund të letrës, nëna shpjegon edhe arsyen pse këtë vit nuk zgjodhi një festë të madhe apo një dhuratë materiale.
“Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit të kam bërë dhuratë këtë letër, jo një festë të madhe, por një kujtim që mbetet përgjithmonë me ty. Sepse disa dhurata nuk kanë nevojë të mbështillen me letër, ato mbahen në zemër.”
Në një shoqëri ku ritmi i jetës shpesh na largon nga gjestet e thjeshta, kjo letër rikujton se fjalët e shkruara me zemër mund të jenë dhurata më e vyer që një prind i lë fëmijës së tij.
Letra e plotë:
Ajla ime të dua me gjithë zemër me gjithë shpirt, me një dashuri të thellë, as koha, as njerëzit, kërkush në këtë botë nuk mund ta ndalojë.
E dashura ime
Të promtova se do të shkruaja një letër për ditëlindjen tënde dhe doja ta mbaja atë premtim.
Më fal që po ta jap me vonesë, por dashuria e një prindi nuk njeh data dhe as afate.
Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit të kam bërë dhuratë këtë letër, jo një festë të madhe, por një kujtim që mbetet përgjithmonë me ty.
Një letër ku do të ndjesh dashurinë time, krenarinë që kam për ty dhe gjithë urimet e mia për rrugën e bukur që ke përpara.
Sepse disa dhurata nuk kanë nevojë të mbështillen me letër, ato mbahen në zemër.
E di që u zgjata, por këto janë fjalë zemre.
Të shoh të rritesh çdo ditë dhe ndihem krenare për rrugën e mirë, të gjatë dhe të zgjuar që po bën.
Mami të uron shëndet të plotë, të gëzosh gjithë jetën, mos harro të kujdesesh për të pasur dhuratën më të çmuar: vetveten.
Ti gjithmonë e fortë, respekto të tjerët, beso te vetja dhe mos harro se unë do të jem gjithmonë pranë teje, në çdo hap të jetës tënde.
Uroj mos të të humbasë kurrë buzëqeshja, mirësia dhe ëndrrat e tua.
Ps: Mos u mërzit që nuk të përmenda vëllain, por kjo letër është e dedikuar për ty, psascriptet për ditëlindjen tënde.
Gëzuar 11 vjetorin dashuri e shpirtit tim!
Të dua shumë,
Mami


