
Nënat e reja në Shqipëri po përballen me vonesa të mëdha në pagesat e lejes së lindjes.
Ato kanë treguar për JOQ ALBANIA se kanë kaluar ditë, javë e muaj pa marrë mbështetjen financiare që u takon me ligj, ndërsa institucionet përkatëse nuk japin asnjë përgjigje konkrete.
“Është data 6 dhe bankat nuk po kalojnë pagesat. Na thonë ‘pritni’, por nuk hapin më as telefonat. Jemi ankuar në degë, përmes emailit dhe shërbimit të klientit – zero reagim,” – shkruan një qytetare përmes një denoncimi publik.
Sipas sistemit të ri të aplikimit për lejen e lindjes, listat me emrat dhe raportet i kalohen direkt bankave, jo më institucioneve ku punojnë qytetaret. Edhe pse ky ndryshim ishte menduar për të shmangur burokracitë, në praktikë ka sjellë më shumë konfuzion dhe mungesë transparence.
“Është bërë traditë që pagesat të vonohen, por këtë muaj askush nuk përgjigjet. Disa prej nesh kanë tre muaj pa marrë asnjë lekë, në një periudhë kur ndihma është më e domosdoshme se kurrë,” – shkruan një tjetër qytetare.
Përveç nevojave të përditshme si qiraja, faturat e ujit dhe energjisë, nënat e reja përballen edhe me kostot e larta të kujdesit për foshnjat – dhe mungesa e pagesës për lejen e lindjes është një goditje e rëndë ekonomike dhe psikologjike.
Ato kërkojnë një reagim të menjëhershëm nga ISSH, bankat përkatëse dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Leja e lindjes nuk është një shpërblim – është një e drejtë themelore që nuk mund të shtyhet, harrohet apo injorohet.
Denoncimi 1:
Pershendetje, Dua te ngre nje shqetesim lidhur me pagesat e lejes se lindjes. Eshte data 6 dhe bankat nuk po kalojne pagesat. Cdo muaj me vonese por kesaj rradhe nuk kthejne pergjigje madje ne dege te percjellin duke thene qe do ju njoftojme. Ju lutem mund ta publiconi ndoshta ketu reagojne! Faleminderit Idea eshte e tille Me ligjin e ri nuk I kalon me institucioni ku punojme po I cojne listen bankes me raportet dhe emrat dhe me rregull diten e fundit te muajit(nese bie pushim I kalojne nje dite me pare). Ka pas vonesa gjithmone por na thonin qe per X dite dalin po tani as tel nuk hapin me. Ne jemi ankuar te dega edhe ne tel tek sherbimi klientit. Dergojne e-maile por pa pergjigje
Denoncimi 2:
Pershendetje joq po ju shkruaj se pasi publikohen rastet tek ju vepron Shteti. Mire mo po si bejne fushat keto politikanet dhe premetojne nje te ardhme me te mire kur aktualisht nuk eshte ndar leja e lindjes u be tre muaj. Le te harrojme faktin qe kemi detyrime drita uje qira ndonje semundje po ne periudhen me te veshtire per nje grua ku duhet te ket suport maksimal mire ndihme per bebin e lindur ne Shqiperi nuk ka por te marri dhe ate qe i takon njeher ne 3-4 muaj sa turp. Skamje… Anonim nese e publikon.