Nënë e bir u aksidentuan për vdekje rrugës për në punë, u përplasën ballë për ballë me një kamion

Nënë e bir u aksidentuan për vdekje…

Një aksident tragjik në Greqi i ka marrë jetën një nëne 43-vjeçare dhe djalit të saj 21-vjeçar, me origjinë nga Shqipëria, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët dhe duke tronditur banorët e zonës ku jetonin.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, 7 gusht. Të dy ishin nisur si çdo ditë drejt vendit të punës, por udhëtimi përfundoi në mënyrën më tragjike.

Automjeti me të cilin po lëviznin u përplas frontal me një kamion. Për shkak të forcës së madhe të goditjes, nëna dhe djali ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Sipas raportimeve të mediave greke, 21-vjeçari ishte në timon, ndërsa e ëma udhëtonte në sediljen e përparme. Përplasja rezultoi fatale, duke mos u lënë asnjë mundësi mbijetese.

Familja shqiptare ishte vendosur prej vitesh në Paleokomi, ku kishte krijuar jetën dhe punonte me përkushtim. Nëna dhe djali ishin të punësuar në të njëjtën kompani që operon në sektorin e pasurive të paluajtshme, me seli në zonën e plazhit të Ofrynit (Tuzla). Pikërisht drejt punës po udhëtonin kur ndodhi aksidenti që u mori jetën.

Pas kësaj tragjedie, babai dhe vajza e familjes mbeten përballë një humbjeje të rëndë, ndërsa komuniteti ku jetonin i kujton si njerëz punëtorë dhe të respektuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit