Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Partinikos, në provincën e Palermos, ku një 37-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar janë gjetur të pajetë në garazhin e banesës së tyre.
Viktimat janë identifikuar si Rosalia La Manna, 37 vjeçe, dhe djali i saj, Vincenzo Troia, 21 vjeç. Sipas dyshimeve të para të hetuesve, të dy mund të kenë humbur jetën si pasojë e mungesës së oksigjenit dhe përqendrimit të lartë të dioksidit të karbonit në dy depozita nëntokësore.
Në momentin e ndërhyrjes, zjarrfikësit u përballën me një situatë të rrezikshme, ndaj në vendngjarje u angazhua edhe njësia e specializuar NBCR. Ekipet përdorën pajisje mbrojtëse dhe bombola oksigjeni për të hyrë në ambientin ku dyshohej për praninë e gazrave të rrezikshëm.
Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes rezulton se familja përdorte dy depozitat nëntokësore për të mbajtur rrjetat që shërbenin për mbledhjen e ullinjve. Materialet kishin qëndruar aty prej rreth një viti.
Hetuesit dyshojnë se gjatë kësaj kohe proceset e dekompozimit të materialit organik mund të kenë shkaktuar grumbullimin e sasive të mëdha të dioksidit të karbonit, duke krijuar një atmosferë pa oksigjen të mjaftueshëm për të marrë frymë.
Sipas të dhënave të para, gjatë paradites Vincenzo Troia ka zbritur në një prej depozitave për të marrë rrjetat. Ai nuk ka mundur të dalë më prej saj. Kur nëna e tij ka konstatuar se djali nuk po kthehej, dyshohet se ka hyrë në depozitë për ta ndihmuar, por edhe ajo ka mbetur e bllokuar.
Të dy u gjetën më pas të pajetë në zonën e garazhit.
Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. Në fokus është edhe mënyra se si u krijua përqendrimi i lartë i dioksidit të karbonit, ndërsa po verifikohet nëse depozitat dhe kushtet në të cilat ruheshin materialet bujqësore përmbushnin standardet e sigurisë.